Tech

Kreu i programit të robotëve të Tesla-s largohet nga kompania me këtë mesazh!

Kreu i programit të robotëve humanoidë Optimus të Tesla-s, Milan Kovac, po largohet nga kompania. Kovac tha në një postim në X se iu desh të merrte vendimin më të vështirë të jetës së tij për t’u larguar.

Kam qenë shumë larg shtëpisë për një kohë të gjatë dhe do të duhet të kaloj më shumë kohë me familjen jashtë vendit”-shkroi ai. Kovac theksoi se kjo ishte arsyeja e vetme dhe se mbështetja e tij për Musk dhe Tesla-n është e patundur.

Largimi vjen ndërsa CEO i Tesla-s, Elon Musk, ka pohuar se kompania do të ketë mijëra robotë Optimus që operojnë në fabrikat e saj deri në fund të këtij viti.

“Ne presim ta rrisim Optimus më shpejt se çdo produkt, mendoj, në histori, për të arritur në miliona njësi në vit sa më shpejt të jetë e mundur”-tha Musk muajin e kaluar. Kovac punoi në Tesla për gati 10 vjet, ku pjesën më të madhe të asaj kohe e kaloi si inxhinier i nivelit të lartë në ekipin Autopilot.

Ai u caktua për të ndihmuar në drejtimin e zhvillimit të Optimus në vitin 2022 dhe u bë zëvendës-president duke mbikëqyrur programin në fund të vitit 2024. “Unë po drejtoj programin Optimus (roboti humanoid i Teslës) dhe të gjitha ekipet e tij inxhinierike”-shkroi Kovac më parë në profilin e tij në LinkedIn. “Veçmas, unë po drejtoj gjithashtu ekipet inxhinierike përgjegjëse për të gjitha themelet e softuerit dhe infrastrukturën e përbashkët midis Optimus dhe Autopilot”.

Ndërkaq, marrëdhënia e dikurshme e ngushtë mes Donald Trump-it dhe Elon Musk-ut, zyrtarisht hyri në një fazë përplasjeje të hapur, me pasoja të menjëhershme në tregje, në debatin politik amerikan dhe në të ardhmen e disa prej kompanive më të mëdha të teknologjisë dhe hapësirës. Konflikti shpërtheu këtë javë, pasi presidenti sulmoi publikisht miliarderin, duke e akuzuar për “tradhti financiare” dhe kërcënoi se do t’i ndërpresë të gjitha kontratat qeveritare me kompanitë e tij, përfshirë SpaceX e Tesla.