E ftuar në një lidhje telefonike për “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Brunilda Mersini, kryebashkiakja e re e Vlorës. Pjesëmarrja më e ulët në zgjedhje ishte në Vlorë, atje ku kandidatja e maxhorancës, Brunilda Mersini, e cila dorëzoi mandatin e deputetes, fitoi thellë ndaj rivalit të mbështetur nga PD-ja. Nga 144 mijë qytetarë të Vlorës, vetëm 18 111 prej tyre votuan të dielën ose 12.54%, me Mersinin që siguroi 15672 vota ndaj 2333 që mori Dionis Sota. Kandidati i tretë Gjergji Nika e mbylli garën me 1975 vota.
Ka pasur raste që kryebashkiakë që janë në hetim nga SPAK ose në burg, juve ju tremb pushteti?
Çdo punë, çdo profesion, qoftë edhe ai që duket se është një profesion që ka risk të ulët, ka problemet e veta në rrugëtimin e punës. Por kur merret përpara një sfidë, vështirësitë dhe problemet ndahen me stafin. Unë jam e qetë sepse vij nga një periudhë e gjatë administrimi, jam shumë e qartë që duke krijuar stafe dhe duke duke pasur busullë zbatimin e ligjit, nuk ka pse të t’i frikësohem punës dhe sfidës që më pret. Çdo njeri që vjen nga një periudhë e gjatë administrimi, e ka shumë të qartë që zbatimi i ligjit është busulla për të pasur performancë të mirë.