Në podkastin e përjavshëm, kryeministri Edi Rama u ndal te zhvillimet kryesore, me theks te procesi i integrimit europian të Shqipërisë. Datën 26 maj e cilësoi si momentin më të lartë të arritur ndonjëherë nga vendi në rrugëtimin europian.
Shqipëria u ngjit në pikën më të lartë ndonjëherë, tanimë maja ku do të ngjitemi dhe do të vendosim flamurin kuqezi, duke i dhënë kuptim një historie të gjatë ëndërrimi për Bashkimin Europian.
Është moment jashtëzakonisht kuptimplotë dhe certifikim absolut i një pune të palodhur, i një kohe të gjatë. Ky nuk është thjesht një sukses në rrugën e negociatave, por një rezultat i transformimeve të thella që vendi ynë ka bërë në dekadën e fundit.
Rama solli në vëmendje edhe simbolikën e datës, duke e krahasuar me 26 majin e vitit 1996.
Tridhjetë vjet më pas, më 26 maj 2026, Shqipëria hyri në fazën e fundit të rrugëtimit europian, duke mbyllur fazën e hapjes së kapitujve të negociatave dhe duke nisur fazën e mbylljes së tyre, tha Rama, teksa këtë e cilësoi “ironi të fatit” dhe “një buzëqeshje të historisë”.
Për integrimin, kreu i Ekzekutivit vuri në dukje se nuk është vetëm një proces formal, por një reflektim i reformave dhe transformimeve të kryera në dekadën e fundit.