Aktualitet

Ktheu banesën në depo armatimi, arrestohet 47-vjeçari në Delvinë!

Kishte krijuar depo armatimi në banesë, arrestohet 47-vjeçari i dyshuar në Delvinë. Policia njofton se finalizoi operacionin e koduar “Sunrise”, si dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov, një armë gjahu çifte, krehra fishekësh e municione, që mbaheshin pa leje. I arrestuari është identifikuar si shtetasi Laert Tozaj, banues në Delvinë.

Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, të cilat bënin me dije se një shtetas posedonte armë në banesën e tij, shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë organizuan dhe finalizuan me sukses, gjatë paradites së sotme, operacionin policor të koduar “Sunrise”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi L.T., 47 vjeç, banues në Delvinë, njoftoi policia vendore.

Armatimi u gjet pas kontrollit të detajuar të banesës së të dyshuarit Tozaj, ku veç dy armëve të zjarrit u zbuluan edhe 2 krehra pistolete dhe një sasi fishekësh.

Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme hetimore dhe procedurale, sqaroi policia për hetimet që janë ende aktive.