Një aksident i rëndë rrugor u regjistrua sot në aksin Kardhiq-Delvinë, me përfshirjen e dy automjeteve. Njëri prej mjeteve, me targa AA 246 RC doli nga rruga dhe u përmbys, ndërsa automjeti tjetër, një “Audi” me targa AB 558 XR, pësoi dëmtime të shumta nga përplasja.
Si pasojë e aksidentit tragjik, një person humbi jetën, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë, autoambulancat e forcat zjarrfikëse, që ndërhynë për nxjerrjen e personave të aksidentuar dhe menaxhimin e situatës.
Rreth orës 07:00, në aksin rrugor “Skerficë-Sarandë”, automjeti me drejtues shtetasin O. M., rreth 20 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin E.B., rreth 35 vjeç.
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën shtetasi O. M.. Gjithashtu, janë dëmtuar shtetasi E. B. dhe dy pasagjerët në automjetin e tij, shtetasit D.T., 56 vjeç, dhe A.L., 47 vjeç, të cilët po marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën, thuhet në njoftimin e policisë.
Grupi hetimor ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë aksident të rëndë.