Aktualitet

Me armë dhe stema policie, pranga 41 vjeçarit në Tiranë!

Një 41-vjeçar u arrestua nga blutë e kryeqytetit pasi në makinë iu gjet një thikë, ndërsa në shtëpi, dy armë zjarri, municion luftarak dhe emblema policie. Në kuadër të operacionit të koduar “The Holder”, në pranga ra shtetasi i identifikuar si Saimir Allmuça. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi zyrtar:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të veprimeve për goditjen e veprimtarive të paligjshme në të gjitha fushat e shfaqjes së saj, bazuar në inteligjencën policore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “The Holder” si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi S.A., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë operacionit, në Rrugën e Dibrës, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin S.A. Gjatë kontrollit të automjetit, iu gjet e iu sekuestrua një armë e ftohtë (thikë).

Më tej, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë, gjetën e sekuestruan dy armë zjarri (pistoletë dhe pushkë), një armë sportive, një armë e ftohtë, municion luftarak dhe emblema policie.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.