Travel

Ku të shkoni këtë janar? “The Irish Sun”: Vizitoni Tiranën!

Dëshironi të shpëtoni nga i ftohti këtë janar? Atëherë hidhini një sy këtij vendi të bukur mesdhetar me diell dhe paketa pushimesh njëjavore duke filluar nga 685 euro, sipas të përditshmes irlandeze “The Irish Sun”.

Shumë pushues irlandezë po dynden në Tiranë, kryeqytetin shumëngjyrësh dhe historik të Shqipërisë, i njohur për temperaturat e ngrohta gjatë dimrit, jetën e natës dhe çmimet e shkëlqyera.

Tirana është e njohur për jetën e natës dhe pamjet historike. Turistët mund të vizitojnë fshatrat e bukura të Shqipërisë.

Tirana gëzon temperatura mesatare prej 14 deri në 16 gradë Celsius në dhjetor dhe janar.

Shtetasit irlandezë mund të fluturojnë nga Dublini në Tiranë dhe Aeroporti i Tiranës është vetëm 20 minuta larg nga qendra e qytetit me makinë ose taksi.

Një numër hotelesh gjithashtu ofrojnë paketa gjithëpërfshirëse.  Kryeqyteti ofron shumë mundësi aktivitetesh.

Vizitoni Sheshin Skënderbej në Tiranë, ku mund të eksploroni arkitekturën madhështore, ndërtesat shumëngjyrëshe dhe “zemrën” e gjallë të qytetit.

Gjithashtu, mund të merrni teleferikun në malin Dajti për të shijuar pamjen spektakolare të të gjithë Tiranës dhe maleve përreth.

Nëse dëshironi të dilni jashtë kryeqytetit, vizitoni plazhet e Durrësit dhe Golemit, si vendpushime ideale për t’u relaksuar në ajrin e pastër të detit dhe diellin dimëror.

Adhuruesit e historisë mund të vizitojnë Kalanë e Krujës, një nga monumentet më të famshme të Shqipërisë, me pamje gjithëpërfshirëse.

Gjithashtu, adhuruesit e kuzhinës do të kenë mundësinë të provojnë dhe shijojnë ushqime tradicionale.

Shijoni disa gatime të shkëlqyera tradicionale shqiptare, të tilla si byrek ose tavë kosi.

Byreku shqiptar shpesh shitet si ushqim rruge dhe konsumohet i ngrohtë. Brumi i kripur, i bërë me shtresa të holla, mbushet me përbërës të tillë si, spinaq dhe djathë në stilin e rikotës, mish i grirë dhe qepë, ose presh.

Tava e kosit është një pjatë tradicionale e Shqipërisë – qengj i pjekur në ​​kos të athët dhe vezë.

Me fluturime të lira, pamje të mrekullueshme dhe mot të ngrohtë dimëror, Tirana është vendi ideal për të vizituar këtë janar nëse doni të shpëtoni nga i ftohti.