Shumë prindër pyesin: “Kur është koha e duhur për t’ia vendosur fëmijës aparatin dentar?” Kjo pyetje është thelbësore, sepse drejtimi i dhëmbëve nuk lidhet vetëm me pamjen estetike, por edhe me shëndetin oral dhe zhvillimin e duhur të nofullës. Vizita e parë tek dentisti rekomandohet të bëhet rreth moshës 6-7 vjeçare, kohë kur dalin dhëmbët e përhershëm dhe mund të vërehen qartë shenjat e para të keqvendosjes së dhëmbëve.
Pse është i rëndësishëm zbulimi i hershëm?
Ndërhyrja në kohë ka shumë përparësi:
Parandalim i problemeve më të mëdha – Sa më herët të zbulohet shtrembërimi i dhëmbëve ose moszhvillimi i duhur i nofullës, aq më lehtë korrigjohet.
Zhvillim i shëndetshëm i nofullave – Aparatet e hershme ortodontike mund të udhëheqin rritjen e nofullës, duke krijuar hapësirën e duhur për dhëmbët e përhershëm.
Vetëbesim i lartë për fëmijën – Një buzëqeshje e bukur ndikon drejtpërdrejt në sigurinë emocionale dhe sociale të fëmijës.
Shenjat që prindërit nuk duhet ti injorojnë !
Prindërit mund të dallojnë disa tregues të hershëm që fëmija mund të ketë nevojë për aparat ortodonik:
- Dhëmbë të shtrembër ose të grumbulluar
- Kafshim i parregullt (dhëmbët e poshtëm mbulojnë të sipërmet)
- Hapësira të mëdha mes dhëmbëve (diastema)
- Kafshim i hapur (dhëmbët e sipërm nuk kontaktojnë me dhëmbët e poshtëm)
- Frymëmarrje me gojë
- Vështirësi në shqiptim ose përtypje
Nëse vëreni këto shenja,është koha të konsultoheni me ortodontin.
Llojet e aparateve ortodontike për fëmijë
Aparatet e lëvizshme – përdoren kryesisht në moshat më të vogla, për të ndihmuar rritjen e nofullës dhe për të korrigjuar shenjat e para të shtrembërimit të dhëmbëve.
Aparatet fikse (braketat) – aplikohen zakonisht pas daljes së dhëmbëve të përhershëm, për të arritur drejtimin e plotë të dhëmbëve dhe përmirësimin e kafshimit. Dentisiti është ai që vendos se cili aparat është më i përshtatshëm për fëmijën tuaj, në bazë të moshës dhe nevojave klinike.
Cilat janë përfitimet e drejtimit të hershëm të dhëmbëve?
- Pamje estetike dhe buzëqeshje natyrale.
- Higjienë orale më e lehtë dhe parandalim i kariesit.
- Përtypje dhe të folur më i saktë.
- Vetëbesim dhe buzëqeshje e sigurt në çdo situatë.