Bajamet janë shumë të rëndësishme sepse parandalojnë hyrjen e viruseve dhe baktereve në pjesët e poshtme të rrugëve të frymëmarrjes. Por shpesh ndodh që vetë bajamet të infektohen, gjendje që quhet tonsilit. Tonsiliti kronik është një inflamacion i vazhdueshëm i bajameve të qiellzës që zgjat më shumë se tre muaj dhe zakonisht shfaqet si pasojë e infeksioneve të përsëritura akute ose nënakute. Komplikimet e formave akute dhe përkeqësimet e formës kronike mund të jenë serioze, madje edhe kërcënuese për jetën.
Këto komplikime ndahen në lokale që lindin si pasojë e përhapjes së infeksionit në indet dhe hapësirat përreth qafës; absces peritonsilar, absces parafaringeal, absces retrofaringeal, trombozë e venës jugulare të brendshme, sharlah, ethe reumatizmale akute, glomerulonefrit post-streptokokik, ndërprerje të frymëmarrjes gjatë gjumit (apne). Në moshën pediatrike, kjo sëmundje është më e shpeshtë tek fëmijët nga 4 deri në 15 vjeç, ndërsa frekuenca zvogëlohet me kalimin e viteve.
Dhimbja dhe ngushtimi në fyt, era e keqe e gojës dhe formimi i masave të bardha të buta në kriptat e bajameve janë shenjat më tipike të tonsilitit kronik. Përveç tyre, shfaqen shpesh edhe kollë e zgjatur dhe e thatë, gërhitje apo ndërprerje e frymëmarrjes gjatë gjumit, vështirësi në frymëmarrje me zë të dëgjueshëm, dhimbje në vesh ose në qafë, zmadhim i nyjeve limfatike cervikale, mungesë përparimi në peshë apo rritje, ndryshim në zë. Simptomat e përgjithshme përfshijnë temperaturë të lehtë, lodhje, dhimbje muskujsh dhe dhimbje koke.
Diagnoza e tonsilitit kronik nuk mund të vendoset vetëm mbi bazën e një simptome apo pas një vizite të vetme. Ajo përcaktohet pas mbledhjes së të dhënave anamnestike, ekzaminimit klinik, si dhe rezultateve të analizave laboratorike dhe ekzaminimeve mikrobiologjike. Në shumicën e rasteve, trajtimi është kirurgjikal. Duke qenë se periudha e ftohjeve, viruseve dhe gripit është aktive, mjekët këshillojnë që prindërit të ndihmojnë fëmijët të forcojnë imunitetin.
“Mbani imunitetin në nivel optimal, kjo do të thotë aktivitet fizik i rregullt, ushqim i larmishëm dhe i pasur, ndërrimi i shpeshtë i furçës së dhëmbëve, higjienë orale e mirë, dhëmbë të shëndetshëm, përdorim i probiotikëve, moskonsumim i duhanit dhe përballje me stresin e përditshëm pa ankth të tepruar. Në përmbledhje, tonsiliti kronik është një sëmundje e shpeshtë tek fëmijët që shpesh kërkon kujdes të vazhdueshëm mjekësor dhe në disa raste ndërhyrje kirurgjikale. Kujdesi ndaj higjienës, ushqimi i shëndetshëm dhe forca imunitare janë mënyra më të mira për ta parandaluar përsëritjen e tij.