Pas mbledhjes në Kryesinë e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se afati për aplikimin për pozicionin e Avokatit të Popullit është deri në mesnatë.
Prej 3 vitesh nuk është zgjedhur pasardhësi i Avokatit të Popullit, që pas mbarimit të mandatit. Ndërkohë që ligji thotë 30 ditë pas mbarimit të mandatit, kjo nuk është bërë. Deri sot në orën 12:00 të natës, kandidatët kanë të drejtë të shprehin interes.
Kuvendi do të publikojë edhe listën, që i shkon komisionit përgjegjës, i cili në fillim bën vlerësimin se kush plotëson ose jo kriteret.
“Qoftë në komision apo në një tryezë tjetër, të ulemi dhe ta zgjedhim”, ishte ftesa e Ballës drejtuar opozitës. Partia Socialiste ende nuk ka një emër për ta mbështetur.
Siç dihet, zgjedhja e Avokatit të Popullit në Kuvend kërkon 84 vota, ndërsa Erinda Ballanca e ka ushtruar detyrën përtej afateve kushtetuese. Ballancës i ka mbaruar mandati që prej muajit mars 2022.
I pyetur nëse do të ketë një mocion me debat për raportin e OSBE/ODIHR-it, Taulant Balla u shpreh se “nuk ka marrë një kërkesë të tillë nga opozita”.
Por kur do të diskutohet në Parlament projektbuxheti 2026?
Ligji në vetvete përcakton afatet. Rregullorja ka një nen të posaçëm, po ashtu. Eksperienca dhe tradita parlamentare e duan që këtë muaj. Objekti kryesor i punës së Kuvendit është vetëm buxheti, që do të thotë se nisur nga nevoja që bashkitë të miratojnë buxhetet e tyre para 31 dhjetorit, na duhet që me punë intensive, 30-40 ditë, siç është tradita parlamentare, ne ta mbyllim buxhetin, u përgjigj Balla.
Qëllimi është që brenda 15 ditëshit të parë të dhjetorit, të përmbyllet, duhet të përmbyllet.
Ndërkohë, qeveria shqiptare pritet ta miratojë sot projektbuxhetin, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, që nis në orën 17:00.