Dashuria shikon zemrën, por përditshmëria takon faturat. Psikologët familjarë thonë se paratë janë një nga arsyet kryesore të konflikteve në çift, shpesh edhe më shumë se tradhtia. Jo sepse njerëzit janë të “fiksuar” pas lekëve, por sepse financat prekin sigurinë, besimin dhe ndjenjën e drejtësisë.
Një nga problemet më të shpeshta është mungesa e transparencës. Partnerë që fshehin kredi, borxhe, blerje të mëdha apo ndihma financiare që i bëjnë fshehurazi familjes/palëve të treta.
Kur këto dalin zbuluar, partneri tjetër nuk ndjen vetëm shok financiar, por edhe tradhti emocionale, sepse nuk është përfshirë në vendime që prekin jetën e përbashkët.
Dallimi në mënyrën e të shpenzuarit është një tjetër burim tensioni: njëri kursen, tjetri shpenzon pa menduar; njëri investon, tjetri i konsumon të gjitha.
Nëse këto diferenca nuk diskutohen hapur, lindin kritika, kontroll i tepruar (p.sh. “pse shpenzove kaq?”) dhe fshehtësi (“më mirë mos t’ia them fare se do mërzitet”).
Raporti i fuqisë lidhet shpesh me të ardhurat: ai/ajo që fiton më shumë ndihet ndonjëherë “pronari” i vendimeve, ndërsa tjetri ndihet i varur ose i nënvlerësuar.
Kjo gjë është veçanërisht problematike nëse njëri partner lë punën për t’u kujdesur për fëmijët apo familjen, një kontribut i rëndësishëm, por që nuk shihet direkt në llogari bankare.
Ekspertët sugjerojnë që çiftet të flasin për paratë sa më herët: si i shohin, çfarë u shkakton ankth, çfarë objektivash kanë (shtëpi, kursime, udhëtime).
Një buxhet i përbashkët, ku të dy kanë fjalën e tyre, plus një pjesë “personale” që secili mund ta shpenzojë pa dhënë llogari për shuma të vogla, mund të ulë tensionet.
Te fundi, nuk ka formulë unike, disa çifte i bashkojnë të gjitha financat, disa i mbajnë pjesërisht të ndara.
Ajo që ka rëndësi është transparenca dhe ndjesia e drejtësisë: që askush të mos ndihet as “bankomati i shtëpisë”, as “i kontrolluari i shtëpisë”.