Të gjithë njohim një histori ku dy njerëz “digjeshin” për njëri-tjetrin, por lidhja zgjati pak dhe përfundoi me kaos. Psikologët shpjegojnë se, edhe pse kimia dhe pasioni janë pjesë e rëndësishme e romancës, ato nuk mjaftojnë për një lidhje të qëndrueshme.
Tërheqja e fortë fizike dhe emocionale në fillim shpesh shoqërohet me hormone si dopamina dhe adrenalina.
Çdo takim duket si zjarr, çdo mesazh sjell eufori, çdo prekje si “rrufe”. Kjo fazë është normale, por nuk mund të zgjasë përgjithmonë në të njëjtin intensitet.
Kur kimia është e vetmja gjë që mban dy njerëz bashkë, mungesa e elementeve të tjerë fillon të dallohet: mungesa e përputhjes në vlera (si e shohin familjen, punën, besnikërinë), mungesë respekti, komunikim i dobët, ego e lartë, paaftësi për të zgjidhur konfliktet pa drama të vazhdueshme.
Shpesh, në këto marrëdhënie, konflikti shndërrohet në cikël: sherr i fortë, ndarje, rikthim me pasion edhe më të madh dhe kështu me radhë.
Kjo ndjesi “varësie” me ulje-ngritje emocionale krijon iluzionin e një dashurie shumë të thellë, kur në fakt është shpesh kombinim i kimisë dhe plagëve emocionale të papërpunuara.
Ekspertët nuk thonë të heqim dorë nga kimia, pa të, lidhja mund të shndërrohet në miqësi. Por theksojnë se, përveç pasionit, duhet të shohim: a ndihem i sigurt me këtë person? A respektohemi? A dimë të flasim pa u shkatërruar? A kemi qëllime të përafërta për të ardhmen?
Në fund, lidhja më e fortë është ajo ku ka edhe zjarr, edhe një bazament të qëndrueshëm.
Vetëm zjarri djeg dhe konsumon; vetëm baza pa zjarr bëhet miqësi pa pasion. Balanca është çelësi.