Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) tha sot se beson që Murat Jashari, nga familja e heroit Adem Jashari do të ishte figura ideale për pozitën e presidentit.
Sipas tij, nëse për partitë politike në Kosovë ka qenë e pamundur të gjendet një figurë unifikuese për këtë pozitë, atëherë pajtohet që secila parti të ketë kandidatin e vet për president në Kuvend.
Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, vëllait të Adem Jasharit dhe të tjerë anëtarë të familjes, e kanë bërë të qartë më herët gjatë javës se nuk kanë ambicie për pozitën e presidentit dhe një pozitë të tillë do ta shqyrtonin vetëm në rast të ndonjë gjendjeje të jashtëzakonshme apo lufte civile.
Kurti e ka përmendur se duke marrë për bazë situatën aktuale gjeopolitike në botë, ai beson se vendit i duhet “një figurë që u bën ballë shtrëngatave” me të cilat përballet shteti, pndaj sipas tij, Murat Jashari “do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur” dhe vazhdon të mbetet rasti ideal.
Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë, profesor e personalitet sikurse Murat Jashari do të gëzonte mbështetje gjithëpartiake, do të ishte nder për republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin.
Rrethanat gjeopolitike, lufta në Ukrainë, konflikti SHBA-Iran dhe tensionet në Lindjen e Afërt e të Mesme, si dhe kërcënimet e njëpasnjëshme nga Serbia, përfshirë agresionin terrorist në Banjskë, sulmin kinetik në kanalin e Ibër-Lepencit dhe kërcënimet e përditshme nga fqinji ynë verior kërkojnë një moment reflektimi, u shpreh Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani ka thënë se e dëshiron edhe një mandat, por LVV-ja, që e pati kandiduar për mandatin e parë, tani nuk ia përmend më emrin.
Edhe partitë opozitare duket se nuk kanë votë për Osmanin, meqë në disa raste e kanë kritikuar për njëanshmëri, në dobi të partisë së Kurtit.
Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e të paktën 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet e mbetura është që secila parti të propozojë kandidatin e vet për president dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës brenda Kuvendit.
Në fund do të fitojë ai ose ajo që arrin të marrë mbështetjen e deputetëve nga tri raundet, siç e kërkon Kushetuta në procedurën e saj, ka thënë Kurti.