Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se organet e rendit dhe drejtësisë duhet të trajtojnë me seriozitet shkaqet, rrethanat, si dhe “predispozitat e dorasëve”, në mënyrë që të vihet drejtësi për vrasjet e ndodhura ditët e fundit në vend, si dhe të parandalohen raste të tilla.
Në tri ditë, në Kosovë janë regjistruar katër vrasje. Më 23 mars, një 19-vjeçar u vra në Vushtrri nga një bashkëmoshatar. Po në Vushtrri, një ditë më vonë, një 58 vjeçar vrau një grua 42-vjeçare dhe më pas i dha fund jetës duke vrarë veten. Ndërkaq, mbrëmjen e djeshme, një burrë u vra në Prishtinë e një tjetër mbeti i plagosur, se siç njoftoi policia, u sulmuan nga dy persona të maskuar e të armatosur.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kurti u shpreh se kjo seri vrasjesh duhet të ndalohet e të dënohet, duke theksuar se akti i vrasjes “asnjëherë nuk guxon të normalizohet”.
Natyrisht, na duhet një analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional, reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit, deklaroi Kurti, duke kërkuar angazhim maksimal nga organet e rendit dhe drejtësisë.
Autoritetet e rendit kanë thënë se janë duke hetuar shkaqet e vrasjeve që ndodhën ditët e fundit në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare nga policia, vitin e kaluar u regjistruan 17 vrasje në Kosovë ndërsa më 2023-shin, 29 të tilla.
Ekspertët e fushës së sigurisë vlerësojnë se numri i vrasjeve tregon se çështja e armëmbajtjes është bërë alarmante, duke kërkuar që të ketë një qasje më gjithëpërfshirëse, përfshirë këtu ndërgjegjësimin e të rinjve për pasojat e armëve të zjarrit.
Në Kosovë ka ligj për pajisje me leje për armë, duke përcaktuar se kush dhe nën çfarë kushtesh mund të pajisjet me armë zjarri. Po ashtu, ligjet përcaktojnë dënime me gjoba e me burgim për poseduesit e armëve pa leje. Llogaritet se janë mbi 230.000 të tilla në duart e qytetarëve. Policia tha se në baza vjetore konfiskon mesatarisht rreth 1 mijë e 500 armë pa leje.