AP, BBC
Zyrtarët e qeverisë në Siri dhe udhëheqësit e komunitetit druz njoftuan se kanë arritur një armëpushim, pas disa ditësh me përleshje, që rrezikonin të prishnin tranzicionin politik në këtë vend dhe shkaktuan ndërhyrjen ushtarake të Izraelit. Forcat qeveritare filluan tërheqjen nga qyteti Suveida, por nuk është e sigurt nëse armëpushimi do të respektohet. Një armëpushim i mëparshëm, i shpallur të martën u prish shpejt, ndërsa një udhëheqës i njohur druz, sheiku Hikmat Al-Hijri, e hodhi poshtë marrëveshjen e re. Sulmet izraelite vazhduan edhe pas shpalljes së armëpushimit.
Kush janë druzët?
Druzët janë një pakicë etno-fetare që flet arabisht dhe jeton në Siri, Liban, Izrael e në Lartësitë e pushtuara të Golanit. Besimi druze është një degë e Islamit shiit, me identitet dhe ritet e veta unike. Rreth gjysma e ndjekësve të këtij besimi me gjithsej afro një milion pjesëtarë jetojnë në Siri, ku përbëjnë rreth 3% të popullsisë. Në Izrael, ky komunitet konsiderohet në masë të madhe si besnik ndaj shtetit, për shkak të pjesëmarrjes së pjesëtarëve të tij në shërbimin ushtarak.
Sipas Byrosë Qendrore të Statistikave të Izraelit, rreth 152 mijë druzë jetojnë në Izrael e në Lartësitë Golan të pushtuara nga Izraeli. Historikisht, druzët kanë pasur një pozitë të pasigurt në rendin politik të Sirisë. Gjatë luftës civile gati 14-vjeçare, ata vepruan me milicitë e tyre në jug të këtij vendi. Që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assad-it në dhjetor, druzët u kanë rezistuar përpjekjeve të shtetit për të vendosur autoritetin në jug të Sirisë.
Fraksionet druze në Siri nuk kanë qëndrim të njëjtë ndaj autoriteteve të reja. Disa tregohen të kujdesshme, e të tjerat i refuzojnë hapur. Por, shumë prej tyre kundërshtojnë praninë e forcave zyrtare të sigurisë në Suveida dhe nuk pranojnë të bashkohen me ushtrinë siriane, duke u mbështetur në forcat e tyre lokale për mbrojtje.
Edhe pse qeveria siriane i dënoi sulmet e fundit ndaj komunitetit druz dhe premtoi se do ta rikthejë rendin në jug të Sirisë, forcat e saj u akuzuan edhe për sulme ndaj kësaj pakice. Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britani, dokumentoi “ekzekutime të menjëhershme” të druzëve nga forcat qeveritare. Të tilla raporte shtuan mosbesimin e disa pjesëtarëve të komunitetit druz ndaj autoriteteve në Damask.
Pas rrëzimit të papritur të Assad-it, Izraeli filloi të afrohej me komunitetin druz pranë kufirit të tij verior, në përpjekje për të krijuar aleanca me pakicat në Siri. Izraeli po përpiqet të paraqitet si mbrojtës i këtyre pakicave, përfshirë kurdët, druzët e alavitët ndërkohë që vazhdon t’i godasë forcat qeveritare dhe objektivat ushtarake brenda Sirisë.
Gjatë përleshjeve sektare në maj, Izraeli kreu sulme pranë pallatit presidencial në Damask, duke thënë se ishin një paralajmërim kundër sulmeve ndaj komunitetit druz. Megjithatë, disa figura druze në Siri e në Liban e akuzuan Izraelin se po nxit përçarje sektare për të avancuar qëllimet e veta ekspansioniste në rajon.
Pse Izraeli po e sulmon tani Sirinë?
Izraeli po sulmon Sirinë për t’i penguar forcat siriane që të ushtrojnë kontroll ushtarak në jug të vendit, pranë kufirit me Izraelin. Ai do që kjo zonë të mbetet pa ushtri për t’i shmangur rreziqet, sidomos nga luftëtarët islamistë që janë afër kufirit. Më 15 korrik, Izraeli goditi forcat e sigurisë në qytetin Suveida, ndërsa dje sulmet u zgjeruan, duke goditur selinë e ushtrisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes në Damask.
Siria i dënoi këto sulme. Ato ishin më të rëndat që nga fundi i vitit të kaluar kur Izraeli goditi bazat ushtarake siriane dhe mori nën kontroll një zonë kufitare. Izraeli dëshiron ta dobësojë ushtrinë siriane për të mos u rrezikuar dhe paralajmëroi se sulmet do të vazhdojnë. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, pas sulmit të parë ajror në Damask, shkroi në X se “goditjet e dhimbshme kanë filluar”.
Ushtria izraelite do të vazhdojë të sulmojë forcat e regjimit derisa ato të tërhiqen nga zona dhe së shpejti do të rrisë nivelin e përgjigjeve ndaj regjimit, nëse mesazhi nuk kuptohet.
Cilat ishin reagimet në botë?
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se SHBA-të janë “shumë të shqetësuara” për dhunën.
Kemi rënë dakord për hapa specifikë që do t’i japin fund kësaj situate shqetësuese e të tmerrshme.
Por, Rubio nuk dha më shumë detaje.
Disa shtete arabe, përfshirë Libanin, Irakun, Katarin, Jordaninë, Egjiptin e Kuvajtin, i dënuan sulmet e Izraelit në Siri. Republika Islamike i përshkroi sulmet si “shumë të parashikueshme”.
Turqia tha se ato janë “akt sabotimi kundër përpjekjeve të Sirisë për të siguruar paqen dhe stabilitetin”. Edhe shefi i OKB-së, Antonio Guterres i dënoi sulmet e Izraelit në Suveida e Damask.