Aktualitet Politikë

Kuvendi miraton ngritjen e komisioneve për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale!

Me votat e maxhorancës e të opozitës, Kuvendi i Shqipërisë sot miratoi ngritjen e komisioneve për Reformën Zgjedhore dhe për Reformën Territoriale e Administrative.

Për Reformën Zgjedhore, pro votuan 113 deputetë të Kuvendit.

Përbëhet nga 16 anëtarë. Partia Socialiste e Partia Demokratike do të kenë nga 7 përfaqësues, Aleanca për Ndryshim 1 dhe Partia e Lirisë 1. Ky komision do të ketë dy bashkëkryetarë.

Emrat e anëtarëve të komisionit përcaktohen me vendim të Kuvendit. Në mbledhjet e tij mund të marrin pjesë pa të drejtë vote deputetë të partive të tjera parlamentare, të cilët kanë të drejtë të bëjnë propozime për ndryshime në legjislacionin e Reformës Zgjedhore. Vendimmarrja e Komisionit do të synojë konsensusin e gjerë për të gjitha propozimet.

Vendimet e Komisionit quhen të miratuara me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, por vetëm kur kanë njëkohësisht konsensusin e të dy bashkëkryetarëve.

Edhe komisioni për Reformën Territoriale Administrative do të ketë 16 anëtarë: 8 nga PS-ja, 6 nga PD-ja, 1 nga Aleanca për Ndryshim dhe 1 nga PL-ja.

Ky komision do të shqyrtojë kuadrin ligjor të qeverisjes vendore, ridizenjimin territorial e rekomandimin e masave për shëndoshjen financiare për qeverisjen lokale. Kohëzgjatja e këtij komisioni do të jetë 9 muaj.