Në faqen e Facebook-ut të Kuvendit të Shqipërisë u publikua një foto, ku bëhej thirrje për të votuar numrin 5, që mban Partia Socialiste në fletën e votimit në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Nuk kaloi shumë dhe fotoja e publikuar u fshi.

Në një reagim publik, Kuvendi thotë se “administrata dhe shërbimet, faqja dhe rrjetet sociale të Kuvendit nuk janë përfshirë e nuk do të përfshihen në fushatë”, por nuk sqarojnë se çfarë ndodhi me postimin që u publikua në faqe. Në një reagim thuhet:
Kuvendi i Shqipërisë është një institucion demokratik pluralist gjithëpërfshirës, përfaqësues i vullnetit të popullit dhe i të gjitha forcave politike.
Sqarojmë opinionin publik se shërbimet e Kuvendit, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, bazohen në parimet e profesionalizmit dhe paanshmërisë.
Kuvendi i Shqipërisë garanton opinionin publik se administrata dhe shërbimet, faqja dhe rrjetet sociale të tij nuk janë përfshirë dhe nuk do të përfshihen në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë në fushatën e zgjedhjeve parlamentare.
Edhe pse u fshi në pak minuta, opozita e konstatoi dhe reagoi. Deputeti Enkelejd Alibeaj i “Djathtas 1912” doli me një postim në Facebook dhe shkruan se ka denoncuar rastin në KQZ, duke e cilësuar “shkelje zgjedhore”.
Sapo bëra denoncim në faqjen zyrtare të KQZ për shkeljen ligjore të Kuvendit të Shqipërisë! Pres që KQZ, si edhe unë apo shumë të tjerë, ta kenë dokumentuar shkeljen ligjore, dhe të ndërmarrë procesin ndëshkimor dhe referimin penal në SPAK ose në Prokurorinë e zakonshme, shkruan Alibeaj.