Aktualitet Politikë

Kuvendi në seancë plenare/Interpelanca me ministrat Nufi, Kumbaro e Sala!

Kuvendi i Shqipërisë sot mblidhet në orën 10:00, në një seancë plenare me një rend dite të ngarkuar e që përfshin interpelanca me anëtarë të qeverisë, si dhe shqyrtimin e disa projektligjeve të rëndësishme.

Seanca pritet të nisë me miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme dhe me njoftime, ndërsa më pas do të zhvillohen një sërë interpelancash urgjente. Deputetë të opozitës i kanë kërkuar me ministrat e Mbrojtjes e të Arsimit, Ermal Nufi dhe Mirela Kumbaro.

Në vijim, disa interpelanca do të zhvillohen me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, të kërkuara nga deputetë të ndryshëm, ndërsa në rend dite është një interpelancë me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.

Po ashtu, seanca parashikon një sesion pyetje-përgjigjesh me ministrin e Financave, Petrit Malaj, i kërkuar nga deputetja demokrate Jorida Tabaku.

Në pjesën legjislative, deputetët do të shqyrtojnë disa projektligje, ndër të cilat për lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë, krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, si dhe ndryshime në ligje që lidhen me etiketimin e produkteve energjetike, taksat kombëtare e Gardën e Republikës.