Kuvendi zhvilloi një seancë maratonë që përfundoi në orën 04:15 të mëngjesit. U miratuan dy projektligje dhe pesë projektvendime, mes tyre zgjedhja e katër anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Gjatë votimeve në seancë plenare, deputetët miratuan katër kandidatura për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës.
Selami Xhepa u miratua anëtar me 74 vota pro dhe 16 kundër, Holta Zaçaj me 72 vota pro, 19 kundër dhe 1 abstenim; Ervin Mete me 74 vota pro dhe 17 kundër; Jonida Prifti me 73 vota pro dhe 18 kundër.
Ndërkohë, kandidatura e Matilda Shehut, e propozuar nga maxhoranca do të votohet në një tjetër seancë plenare, pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar socialist. Projektvendimet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës u miratuan me shumicë votash, pas diskutimeve mes maxhorancës dhe opozitës.
Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi draftin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, që parashikon testim të detyrueshëm për diplomatët në shërbim brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Projektligji kaloi me 75 vota pro, 15 kundër dhe 1 abstenim.
Seanca shqyrtoi më tej Projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, i cili u prezantua nga deputetja nismëtare Ina Zhupa. Gjatë fjalës së saj, Zhupa u shpreh se trashëgimia kulturore nuk mund t’i lihet në dorë një privati për të interpretuar historinë e vendit, për të interpretuar gjetjet arkeologjike apo për të përfituar nga fondet publike që gjenerohen prej saj. Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u rrëzua me 74 vota kundër e 17 pro.
Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, u prezantua nga nismëtarja Jorida Tabaku, ku pas diskutimeve u rrëzua me 73 vota kundër, 17 pro dhe 1 abstenim.
Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, u prezantua nga nismëtarja, Ina Zhupa, që gjithashtu u rrëzua me 75 vota kundër dhe 17 pro.
Seanca vijoi më tej me shqyrtimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin e vlerës së shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e tre deputetëve të Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, Tedi Blushi dhe Edmond Haxhinasto.
Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u rrëzua me 73 vota kundër, 17 vota pro dhe 1 abstenim.
Projektligji “Për statusin e minatorit”, nismë e deputetes së opozitës, Jorida Tabaku, u rrëzua me 74 vota kundër, 17 pro dhe 1 abstenim.
Punimet plenare vijuan me shqyrtimin e projektligjit “Për domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratike për ndotësit ushqimorë”, i prezantuar nga Tedi Blushi.
Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u rrëzua me 75 vota kundër e 17 pro.
Seanca u mbyll në orët e para të mëngjesit, pas një agjende të ngarkuar dhe votimesh të njëpasnjëshme në sallën plenare.