Bota Lifestyle Tech

Ky vend ndalon YouTube për fëmijët nën 16 vjeç, si pjesë e ligjit të ri për mbrojtjen e të miturve online?

Australia ka zgjeruar listën e rrjeteve sociale të ndaluara për fëmijët nën 16 vjeç, duke përfshirë edhe YouTube, në kuadër të një ligji të ri që hyn në fuqi në dhjetor. Ligji ka për qëllim mbrojtjen e të miturve nga ndikimet e dëmshme të platformave sociale.

Aktualisht, ndalimi zbatohet për TikTok, Instagram, Facebook, X dhe Snapchat.

Me rregulloren e re, fëmijët do të mund të shikojnë video në YouTube, por nuk do të kenë të drejtë të hapin llogari, të ngarkojnë përmbajtje apo të ndërveprojnë me përdorues të tjerë.

YouTube reagoi duke theksuar se nuk e konsideron veten rrjet social dhe se platforma ofron “përfitime dhe vlerë” për të rinjtë australianë. Kompania deklaroi se do të shqyrtojë hapat e mëtejshëm dhe do të vazhdojë dialogun me autoritetet.

Kryeministri Anthony Albanese tha se ky vendim është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të kufizuar dëmet sociale tek fëmijët:

Ne e dimë që kjo nuk është zgjidhja e vetme, por do të përbëjë një ndryshim të rëndësishëm.

Ligji parashikon gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë për kompanitë që nuk respektojnë ndalimin, duke përfshirë çaktivizimin e llogarive ekzistuese të përdoruesve nën 16 vjeç dhe bllokimin e krijimit të llogarive të reja.

Masa po ndiqet nga afër edhe nga vende të tjera, si Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat po shqyrtojnë zbatimin e një modeli të ngjashëm.