Kylie Minogue ka zbuluar se është përballur me një diagnozë të dytë me kancer në vitin 2021, më shumë se 15 vite pas betejës së saj të njohur me kancerin e gjirit.
Rrëfimi emocional u bë publik në dokumentarin e saj të ri në Netflix, ku këngëtarja australiane tregoi se këtë herë vendosi ta mbante gjithçka larg syrit të publikut.
Diagnoza ime e dytë me kancer ishte në fillim të vitit 2021. Arrita ta mbaja për vete, jo si herën e parë
-tha ajo.
Për fat të mirë, e kalova përsëri dhe tani gjithçka është mirë.
Artistja pranoi se e kishte shumë të vështirë të gjente momentin e duhur për ta ndarë lajmin, sidomos në periudhën kur po përjetonte suksesin e madh të hitit të saj Padam Padam, i cili i solli edhe një çmim Grammy Awards në vitin 2023.
Nuk ndihem e detyruar t’ia tregoj botës. Në atë kohë nuk munda, sepse emocionalisht nuk isha mirë. Kishte momente kur nuk doja as të dilja nga shtëpia.
Këngëtarja tregoi se përvoja e saj personale ndikoi edhe në albumin Tension, ku disa tekste përmbajnë referenca të fshehta ndaj betejës së saj me sëmundjen.
Dokumentari me tre pjesë, i drejtuar nga Michael Harte, përfshin pamje të rralla arkivore dhe intervista me familjarë e miq të afërt, përfshirë motrën e saj Dannii Minogue dhe ish-kolegun nga seriali Neighbours, Jason Donovan.
Minogue theksoi gjithashtu rëndësinë e kontrolleve të hershme mjekësore, duke thënë se vendosi ta ndante historinë tani me shpresën që të shërbejë si kujtesë për të tjerët.
Shpresoj që dikush ta dëgjojë këtë dhe të kujtohet të bëjë kontrollet e veta
-tha ajo.
Diagnoza e saj e parë në vitin 2005 kishte tronditur fansat në mbarë botën dhe kishte sjellë atë që mediat australiane e quajtën “efekti Kylie”, pasi mijëra gra nisën të kryenin kontrolle të gjirit pas rrëfimit të saj publik.