Sport

Lautaro, Pulisiç e Hojlund, titullin e Serisë A e vendos “bomberi”!

Një “bomber” dominues, shpesh në futboll kjo e bën diferencën mes një skuadre që lufton për titull dhe asaj që shpreson për një vend në Champions League. Në Serie A, shifrat flasin qartë, ku një javë përpara përfundimit të fazës së parë, janë konfiguruar edhe tre ekipet kryesore që pritet të duelojnë deri në fund për titullin kampion.

Inter, Milan dhe Napoli, janë tre ekipet që kanë diçka më shumë se pjesa tjetër, më saktë kanë sulmues që kanë bërë diferencën. Me 10 gola të shënuar, Lautaro Martinez është golashënuesi më i mirë i Serisë A, 14 gola në total këtë sezon.

Pikërisht forma e Martinez është reflektuar edhe në tabelën e klasifikimit, ku Inter qëndron në krye. Lautaro ka një mesatare prej 1 gol çdo 118 minuta. Në vendin e dytë në listën e golashënuesve më të mirë ndodhet Pulisiç. “Kapiten Amerika” ka shënuar 8 gola këtë sezon në Serie A duke pasur një rol përcaktues edhe në rendimentin e Milan, me “djallin” që ndodhet në vendin e dytë.

Në fakt, Pulisiç ka një rendiment më të mirë se sa Lautaro pasi ka një mesatare prej 1 goli çdo 87 minuta. Shifrat nuk gënjejnë edhe kur bëhet fjalë për Napolin. Konte humbi sulmuesin e tij kryesor, Lukakun, por vendin e tij e mori Hojlund dhe danezi nuk zhgënjeu teksa deri më tani ka shënuar 6 gola.

Pas një periudhe përshtatje, Hojlund është kthyer në lojtarin kyç të Kontes këtë periudhë, falë golave të tij Napoli qëndron në vendin e tretë, dy pikë larg Interit kryesues. Juventus, Roma, Komo etj janë ekipe që nuk pritet të futen në këtë gare treshe për titull, fundja nuk kanë një “bomber”, por mes tyre do të rivalizojnë deri në fund për të siguruar një vend në Champions League.

Në Serinë A tashmë gjërat kanë ndryshuar, e po i rikthehemi tradicionales. Nëse vetëm pak javë më pare, “ligjin” e bënin mesfushorët, me Orsolinin, Çalhanoglu apo Niko Paz, të cilët kryesonin listen e golashënuesëve, tani duket se çdo gjë është rikthyer normalitetit. Kjo pasi “bomberat” kanë dale sërish në skenë dhe janë gati të bëjnë diferencën, në gjysmën e dytë të sezonit, aty edhe kur do të vendosen përfundimisht fatet e skuadrave të mëdha në kampionatin italian.