Në vitet mes dy luftrave, vapori Virginia ecejakej nga Europa në Amerikë, me ngarkesën prej miliarderësh, emigrantësh e njerëzish dosido. Thonë se mbi Virginia-n jep shfaqje një pianist i jashtëzakonshëm, me një teknikë të mahnitshme, i aftë të luajë një muzikë të padëgjuar kurrë më parë, të mrekullueshme. Thonë se historia e tij është një çmenduri, që ai kishte lindur mbi atë anije dhe nuk kishte zbritur kurrë prej saj. Thonë se askush nuk e dinte pse–në.
Foshnja që lindi brenda në anije nga një dalldisje erotike, dhe u hodh në hollin e sallës së ballos dhe madje në kapakun e pianos, sikur donte të vuloste edhe talentin e tij në fushën e muzikës. Ka qenë drama e pianistit, ku miliarderi që e gjeti i vuri një emër amerikani. Dhe përsëri i “ngjiti” pas emrin e një shoqërie limonash, e më pas vitin 1900. ”900”-ta, pianisti legjendë, ishte pra talenti në piano, që do të prodhonte gjithë këtë muzikë për spektatorin.
Pianisti që nuk do të zbriste kurrë nga anija, pasi aty kishte tashmë botën e tij. Një njeri që ishte ndryshe nga të tjerët, për të cilin, toka ishte një anije tepër e madhe, një udhëtim tepër i gjatë, një grua tepër e bukur, një aromë tepër e fortë, një muzikë që nuk dinte ta luante.
“Legjenda e pianistit mbi oqean”, vepër e shkrimtarit Alessandro Baricco është ndër veprat më të mira të këtij autori italian. Një nga veprat më moderne, më të ngrohta, të një talenti ardhur në jetë si një anonimat. Dhe që me groteskun e jetës së tij, pati kurajën të tallet dhe me vetë Zotin. Një gjeni i ardhur nga hiçi në kërkim të ekzistencës së vet.