Health & Beauty

Lëkura e një 53-vjeçareje mund të duket tanimë si ajo e një 23-vjeçareje!

Në një arritje shkencore që sfidon kufijtë e biologjisë, studiuesit në Institutin Babraham në Mbretërinë e Bashkuar kanë arritur të rikthejnë rininë e qelizave të lëkurës njerëzore. Duke përdorur një teknikë të quajtur riprogramim i pjesshëm, një lëkurë 53-vjeçare, duket dhe sillet si ajo e një 23-vjeçari/je.

Ky proces mbështetet në të ashtuquajturat faktorët Yamanaka, një grup proteinash që njihen për aftësinë e tyre për të kthyer pas në kohë moshën biologjike të qelizave, duke riaktivizuar gjenet e lidhura me rininë. Zakonisht, këta faktorë e fshijnë tërësisht aktivitetin e lodhur të qelizave duke i kthyer në gjendje embrionale.

Rezultatet ishin befasuese; qelizat e trajtuara shëroheshin më shpejt, prodhonin më shumë kolagjen dhe shfaqnin gjene të zakonshme për lëkurën e re. Nën mikroskop, këto qeliza dukeshin më të reja, me rrjeta më të forta dhe lidhje më të ngushta ndërmjet tyre.

Ajo që e bën këtë zbulim edhe më të jashtëzakonshëm është qëndrueshmëria e ndryshimeve. Edhe pas disa javësh nga trajtimi, qelizat ruanin tiparet e tyre rinore. Kjo tregon se riprogramimi nuk është thjesht një “rregullim i përkohshëm”, por një rindërtim i qëndrueshëm i aktivitetit gjenetik.

Ky zbulim hap horizonte të reja për mjekësinë rigjeneruese, me potencial për të trajtuar sëmundje të lidhura me moshën si artriti, plakja e lëkurës, dhe ndoshta edhe çrregullime neurodegjenerative. Studiuesit po përgatiten për prova klinike, të cilat mund të nisin brenda dekadës së ardhshme.

Interesant është fakti që nëse plakja mund të ngadalësohet, ose madje të kthehet pas në nivel qelizor, atëherë e ardhmja e mjekësisë nuk do të jetë më vetëm trajtim i plakjes, por mundësisht edhe eliminimi i saj.