Robert Levandovski vazhdon të shënojë, por çështja e së ardhmes së tij është gjithnjë e më shumë në qendër të axhendës së Barçës. Sulmuesi 37-vjeçar polak ka shënuar tashmë katër gola në gjashtë paraqitje në La Liga, vetëm dy prej të cilave i nisi si titullar për shkak të një dëmtimi duke vërtetuar se ai mbetet një sulmues i nivelit të lartë.
Megjithatë, me kontratën e tij që skadon në qershor, klubi e di se një ndërrim brezash në zemër të sulmit nuk mund të shtyhet më.
Çështja është komplekse. Vështirësitë financiare të Barcelonës i kufizojnë shanset e tyre për të nënshkruar një lojtar yll, megjithëse largimi i mundshëm i Levës do të lehtësonte shpenzimet e pagave. Siç raporton Sport, Joan Laporta, megjithatë, ka një qëllim të qartë dhe shumë ambicioz, të sjellë Hulian Alvarez, yllin e Atletiko Madrid.
Presidenti i Blaugranëve është i fiksuar pas argjentinasit 25-vjeçar, i identifikuar si objektivi i tyre kryesor për verën e vitit 2026. Transferimi premton të jetë jashtëzakonisht i komplikuar, klauzola e lirimit prej 500 milionë eurosh është jashtë mundësive dhe Atletiko nuk është i gatshëm të ndahet lehtësisht nga lojtari i tyre yll, i cili tashmë ka shënuar gjashtë gola dhe një asist në shtatë ndeshjet e para të La Ligës. Një shkëndijë shprese për Barçën vjen nga rrethi i lojtarit, të cilët janë në favor të një transferimi, dhe nga admirimi i vetë Alvarez për klubin katalanas.