Rajoni

Ligjvënës amerikanë në Ballkan, vizitë edhe në Preshevë!

Dy ligjvënës amerikanë, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam, sot qëndrojnë në Serbi, duke vizituar edhe Luginën e Preshevës, me shumicë shqiptare, pas takimit me kryeparlamentaren Ana Bërnabiç, në Beograd.

Kryetarja e komunës në jug të Serbisë, Ardita Sinani, shkroi në Facebook se “Presheva mirëpret delegacionin e Kongresit amerikan”.

Një moment historik për Luginën.

Me nismën e Self-it, në janar të këtij viti, anëtarët e Komitetit për Politikën e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, miratuan projektligjin që sekretarit të Shtetit i kërkonte të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në vitin 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës që përfshin Preshevën, Medvegjën e Bujanocin konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Një ditë më parë, Self dhe Subramanyam qëndruan në Sarajevë, ku takuan përfaqësuesit e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës.

Diskutuan mënyrat për të forcuar partneritetin dypalësh dhe për të mbështetur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Në një postim në X, ambasada amerikane në Sarajevë nënvizoi se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe integritetit territorial të Bosnjës.

Momentalisht, nuk është e qartë nëse delegacioni do të vizitojë Kosovën. Javën e kaluar, kryeministri në detyrë Albin Kurti njoftoi se ka zhvilluar një takim virtual me një grup ligjvënësish, mes tyre edhe Self.

Bashkëpunimi dypalësh në mbrojtje midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është më i fortë se kurrë. Kjo, kryesisht, për shkak të mbështetjes dërrmuese dypartiake që Kosova gëzon në Kongresin e SHBA-së, shkroi Kurti në X, pas asaj bisede.

Në fund të prillit, Self me kolegët e tij, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, propozuan një rezolutë që synon ta shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt NATO-s. Aty theksohej:

Qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa shumetnike përbëjnë një argument bindës për anëtarësimin në NATO.