Lily Allen ka folur hapur për albumin e saj të ri “West End Girl”, duke e përshkruar atë si një projekt që i jep zë njerëzve që, sipas saj, “janë të përfshirë në marrëdhënie jo-monogame pa e zgjedhur vetë”.
Këngëtarja britanike tha se kjo temë rrallë diskutohet në publik dhe në kulturën pop, sidomos në marrëdhëniet heteroseksuale, duke shtuar se shpesh paraqiten vetëm “historitë e suksesshme”, ndërsa emocionet e dhimbshme mbeten të pathëna.
Albumi shënon rikthimin e saj në muzikë pas 7 vitesh dhe është krijuar në vetëm 10 ditë, pas ndarjes së saj nga aktori David Harbour në fund të vitit 2024. Sipas raportimeve, ndarja erdhi pas akuzave për tradhti nga ana e tij.
Në këngët e albumit, Allen sugjeron se marrëdhënia e tyre kishte rregulla për një formë hapjeje në çift, por që këto kufij, sipas saj, janë shkelur.
Në intervista të fundit, ajo ka theksuar se përvoja e saj pasqyron një realitet emocional që shpesh nuk trajtohet në mënyrë të sinqertë në muzikë apo media.
Ajo shtoi se në komunitetin LGBTQIA+ marrëdhëniet jo-monogame janë më të pranuara dhe më të vjetra, ndërsa në kulturën heteroseksuale kjo temë ende mbetet “e re dhe e vështirë për t’u diskutuar”.
Albumi “West End Girl” është përshkruar si një rrëfim i fortë personal, ku artistja prek ndarje, tradhti dhe dhimbje emocionale përmes 14 këngëve të saj.
Sipas mediave britanike, në këngën më të diskutuar “Madeline”, ajo i referohet një gruaje tjetër të përfshirë në historinë e saj martesore, duke përshkruar një marrëdhënie të fshehtë dhe tensione emocionale që kanë shoqëruar çiftin.
Ndërkohë, albumi ka ngjallur reagime të shumta në publik, duke u cilësuar si një nga projektet më të sinqerta dhe më të drejtpërdrejta të karrierës së saj deri më sot.