Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e burgosur e abuzuesit seksual Jeffrey Epstein, u ka thënë zyrtarëve amerikanë se nuk ka qenë dëshmitare e ndonjë sjelljeje të papërshtatshme nga Donald Trump apo ish-presidenti Bill Clinton. Administrata Trump është përballur me presion për të zbuluar informacione rreth Epstein, me të cilin presidenti amerikan kishte pasur më parë një miqësi.
Maxwell u intervistua nga burgu në korrik dhe, sipas një transkripti të sapo publikuar, i tha Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm, Todd Blanche, se një “listë klientësh” e shumëpërfolur e Epstein nuk ekzistonte. Ajo gjithashtu i quajti akuzat për marrëdhënie seksuale të Princit Andrew me një vajzë të mitur në shtëpinë e saj si “çuditërisht të paimagjinueshme”. Maxwell po kërkon falje nga Trump dhe është akuzuar se ka gënjyer zyrtarët federalë.
Pak pas intervistës me Blanche – e cila më parë ka punuar si avokate personale e Trump – Maxwell u zhvendos nga një burg në Florida në një institucion me siguri minimale në Teksas. Nuk është e qartë pse u bë kjo zhvendosje. Ajo aktualisht po vuan një dënim prej 20 vitesh burg për përfshirje në një skemë trafikimi seksual dhe i ka bërë një peticion Gjykatës Supreme të SHBA-së për të përmbysur dënimin. Avokati i saj ka deklaruar se do ta “mirëprisnin” një falje presidenciale.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se “nuk po jepet ose diskutohet asnjë lehtësim” në lidhje me rastin e Maxwell. Trump ka pohuar se është grindur me Epstein në vitin 2004. Presidenti ka akuzuar kundërshtarët e tij politikë se po përdorin çështjen Epstein për të larguar vëmendjen nga ato që ai i konsideron si arritje të administratës së tij. Megjithatë, edhe brenda Partisë Republikane, ka pasur presion për më shumë transparencë lidhur me hetimet ndaj Epstein. Në transkriptin – i cili përmban rreth 300 faqe, disa prej tyre të redaktuara – Maxwell tha se, ndonëse besonte se Trump dhe Epstein ishin miqësorë “në mjedise shoqërore”, nuk mendonte se ishin miq të ngushtë.
Në fakt, nuk e kam parë kurrë presidentin në ndonjë lloj ambienti masazhi. Presidenti nuk ka qenë kurrë i papërshtatshëm me askënd. Në kohën që isha me të, ai ishte një zotëri në të gjitha aspektet.
Ajo tha gjithashtu se nuk i kujtohej që Trump i kishte dërguar një shënim urimi Epstein-it për ditëlindjen e tij të 50-të në vitin 2003 – një detaj që tërhoqi vëmendjen e mediave pas raportimeve në Wall Street Journal.