Rikthimi i Bordit të Transparencës mbetet një opsion në tavolinën e qeverisë, për të frenuar rritjen e cmimeve të karburanteve, siç veproi në vitin 2022, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë
“Për të ngritur alertin për rritjen e çmimeve javët e fundit, të ndikuar gjatë për luftën. Kemi diskutuar për detyrimin që kanë për rezervat. Jemi duke monitoruara, qoftë çmimet e bursës për naftën, benzinën dhe gazin, qoftë çmimin me të cilin karburanti del nga dogana, me çmimin e tabelave që shkon për tregtim. Gjatë krizës 2022-2023, kur çmimet u rritën, kemi pasur një bord transparence që monitoronte dhe vendoste për çmimet e shitjes. Gjykojmë që situata nuk është në nivelin e ngritjes së bordit, nëse do ketë rritje të mëtejshme do të futemi në atë regjim”, tha Ibrahimaj.
Pas mbledhjes së qeverisë ministrja e ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se operatorët e karburanteve po mbahen nën monitorim për të mos lejuar spekulimet me çmimet.
Por në Komisionin e Ekonomisë, deputeti socialist Erion Braçe deklaroi se sipas tij tregu i karburanteve funksionon si një kartel.
“Ka ndryshuar me një mesazh dhe unë po përpiqem shumë që ato mesazhe t’i mbledh dhe t’ua dërgoj, dhe mbi të gjitha nën diktatin e një shoqate që garanton kartelin, që është shoqata e hidrokarbureve. Këto mesazhet nuk i dërgojnë thjesht dhe vetëm këta drejtuesit e kompanive, por këto mesazhet veçanërisht tek pikat e bardha i dërgojnë zyrtarët e shoqatës së hidrokarbureve të paktën nga ato që kam unë ajo që lexoj unë. Pra shoqata e hidrokarbure që funksionon si kartel për të garantuar rritjen e çmimeve në këtë rast”, tha Braçe.
Ministria e Financave, ka ngritur një Task Forcë që do të kontrollojë tregun e hidrokarbureve për të mos lejuar abuzimet me çmimin e naftës. Në fokusin e kësaj task-force të Doganave dhe Tatimeve do të jetë kontrolli si i pikave të shumicës ashtu edhe të pakicës, jo vetëm për çmimet por edhe për sasitë e hidrokarbureve që tregtohen nga pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë.
Këtë të mërkurë çmimi i naftës në pikat e karburanteve me pakicë luhatet, shkon nga 192 lekë për litër deri në 201 lekë për litër, mbi 25 lekë më shtrenjtë se para 1 jave.