Për herë të parë në histori, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit siguroi kualifikimin në fazën play-off të një Kampionati Botëror dhe me këtë ëndërr të kthyer në realitet, një nga trofetë më të rëndësishëm të akorduar mbrëmjen e djeshme në Galanë “Topi i Artë 2025” ishte nderimi i lojtarëve të Kombëtares për arritjen e objektivit madhor e historik.
“Ëndërr Botërori” ishte trofeu që iu akordua 12 lojtarëve të pranishëm: Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Naser Aliji, Kristjan Asllani, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Klisman Cake, Alen Sherri, Mario Dajsinani, Juljan Shehu e Nazmi Gripshi.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, FSHF, Armand Duka, i dorëzoi secilit prej lojtarëve nga një trofe, në shenjë falënderimi për këtë arritje historike.
Në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë”, kapiteni Berat Gjimshiti u nderua me çmimin prestigjioz “Lojtari i Vitit i Kombëtares”. Gjimshiti udhëhoqi Kombëtaren drejt një tjetër arritjeje historike, duke siguruar kualifikimin në fazën play-off të Kupës së Botës, ku Shqipëria, për herë të parë në histori, në mars të vitit 2026 do të tentojë të sigurojë një vend në Botëror. Përzgjedhja e tij si “Lojtari i Vitit i Kombëtares” u bë përmes votave të vetë futbollistëve të Kombëtares shqiptare.

Tifozët patën mundësi të votonin përmes një e-mail-i të dërguar nga FSHF dhe pas numërimit të votave, fitues u shpall mbrojtësi kuqezi, Mario Mitaj.

Për të dytin vit radhazi, tekniku i Egnatias, Edlir Tetova është shpallur fitues i trofeut “Trajneri i vitit 2025”, pas një tjetër edicioni të shkëlqyer me ekipin rrogozhinas, me të cilin fitoi kampionatin.
