Aktualitet Politikë

Luçiano Boçi nga Thethi: Turizmi familjar ka marrë goditjen finale, opozita do të përdorë çdo mjet për të mbrojtur banorët!

Prej disa ditësh situata në Theth është tensionuar pas nisjes së operacionit të IKMT-së për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonë. Banorët kundërshtojnë veprimet e shtetit, pasi thonë që nuk e kanë të mundur që të ndërtojnë me leje pasi u mungojnë certifikatat e pronësisë.

Situata është tensionuar sërish këtë të shtunë teksa ka vijuar aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje. Në zonë shkuan sot edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, përfshirë drejtuesin politik të Shkodrës, Luçiano Boçi, dhe deputetin e zgjedhur të qarkut, Bardh Spahia.

LEXO EDHE: Partia e Lirisë mbështet banorët e Thethit, Blushi: Ndalni terrorin!

Boçi pohoi se turizmi familjar ka marrë goditjen përfundimtare dhe do të jetë në Theth si opozitë me të gjitha mjetet për të reaguar, për të mbrojtur banorët e zonës.

“Turizmi familjar ka marrë goditje përfundimtare. Siç shihet prishjet këtu janë selektive, policia dhe IKMT janë në kundërshtim të plotë me ligjin. Banorët kanë ndërtuar në tokat e tyre, por kjo nuk përputhet me oreksin e Edi Ramës i cili kërkon të rrëmbejë edhe këtë perlë të natyrës, siç ka bërë me të tjerat. Këtu nuk ka shtet, sepse të marrësh zvarrë banorët sepse kanë ndërtuar në tokat e tyre, kanë bërë turizëm familjar, këtij nuk i thonë shtet. Të gjithë drejtuesit e IKMT thonë një fjalë, kemi urdhër…nga kush kanë urdhër? Këtu sundon arroganca e një shteti që qeverisjen e kanë marrë nga bandat. Do të jemi këtu si opozitë me të gjitha mjetet tona për të reaguar. Thirrja ime është të bëhemi bashkë të gjithë burrat e malësisë për ta ndalur këtë valë terrori” – u shpreh Boçi.