Bota

Lufta Izrael-Iran, kryediplomati iranian Araghchi: Ndalojmë vetëm nëse ndalet Izraeli!

Izraeli sot kreu bombardime në të gjithë Iranin, për të tretën ditë radhazi e kërcënoi se do të përdorë forcë edhe më të madhe. Ndërkaq, disa raketa iraniane i shpëtuan mbrojtjes ajrore izraelite dhe goditën ndërtesa në zemër të vendit, duke  vrarë dhjetëra njerëz.

Rajoni është duke u përgatitur për një konflikt të zgjatur pas bombardimeve të papritura të Izraelit ndaj objekteve bërthamore e ushtarake të Iranit të premten, duke vrarë disa gjeneralë dhe shkencëtarë të lartë bërthamorë. Prej 13 qershorit, as Izraeli e as Irani nuk po japin shenja zmbrapsjeje.

Irani raportoi se Izraeli goditi dy rafineri nafte, duke ngritur shqetësime për një sulm më të gjerë ndaj industrisë së energjisë iraniane, gjë që mund të ndikojë në tregjet globale.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu mbështetje të plotë për veprimet e Izraelit, teksa paralajmëroi Iranin se mund t’i shmangë shkatërrimet e mëtejshme vetëm duke pranuar një marrëveshje të re për programin e tij bërthamor.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi sot se nëse sulmet izraelite ndaj Iranit ndalojnë, “atëherë edhe përgjigjet e Teheranit do të ndalen”.

Në Izrael, të paktën 10 njerëz u vranë nga sulmet iraniane gjatë natës dhe mëngjesin e kësaj të diele, sipas zyrtarëve, duke e çuar në 13, numrin e përgjithshëm të viktimave që nga e premtja. Aeroporti ndërkombëtar kryesor i vendit dhe hapësira ajrore mbetën të mbyllura për të tretën ditë radhazi.

Të paktën gjashtë vetë, mes tyre dy fëmijë të moshave 9 e 10 vjeçarë u vranë kur një raketë goditi një objekt të banuar në Bat Yam, pranë Tel Avivit. Daniel Hadad, komandant lokal policie, tha se 180 persona u plagosën dhe shtatë rezultojnë të zhdukur.

Katër njerëz të tjerë, përfshirë një 13 vjeçar, u vranë dhe 24 u plagosën kur një raketë goditi një ndërtesë në qytetin arab Tamra në veri të Izraelit. Një tjetër sulm në qytetin qendror Rehovot la të plagosur 42 vetë.