Bota

Lufta në Ukrainë, sot pritet njoftimi “i rëndësishëm” i Trump-it!

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do të dërgojë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë, me shumë gjasë përmes Bashkimit Europian. Ndërkohë, Kievi, Moska dhe e gjithë bota presin një “deklaratë të rëndësishme” nga ai, në lidhje me luftën. Duke folur për gazetarët në një bazë ushtarake amerikane pranë Uashingtonit, Trump nuk dha detaje për dërgesat e planifikuara të sistemeve Patriot në Kiev.

Ne do t’u dërgojmë sisteme Patriot, që iu nevojiten aq shumë, sepse Putin me të vërtetë habiti shumë njerëz. Ai flet mirë dhe pastaj i bombardon të gjithë në mbrëmje… Nuk më pëlqen. Bashkimi Europian do të paguajë për to. Ne nuk do të paguajmë asgjë, por do t’i dërgojmë.

Trump nuk i specifikoi vendet e BE-së që do të përfshihen.

Ne do t’i dërgojmë pajisje të ndryshme ushtarake, shumë të sofistikuara. Ata do të paguajnë 100% për to. Kështu duam ne.

Më 2 korrik, Uashingtoni paralajmëroi se do t’i ndërpresë disa furnizime me armë për Kievin. Megjithatë, Trump shprehu gjithnjë e më shumë zhgënjim për refuzimin e Putinit që të pranojë një armëpushim dhe më 10 korrik, tha se “Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë armë shtesë në Ukrainë përmes vendeve anëtare të NATO-s ose aleatëve të tjerë europianë”.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, në një bisedë telefonike me Trump-in më 4 korrik, foli për mundësinë që Berlini të blejë sisteme Patriot nga Uashingtoni dhe më pas t’ia dërgojë Ukrainës. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, sot viziton Uashingtonin për bisedime me zyrtarët amerikanë.

Shtetet e Bashkuara i dërguan Ukrainës tri bateri të raketave Patriot, që të gjitha gjatë administratës së presidentit Joe Biden. Sistemi Patriot është një nga më të avancuarit në botë për mbrojtjen ajrore, i aftë të kapë raketa balistike, ato lundruese e avionë luftarakë.

Trump paralajmëroi se sot do të jepet një “deklaratë e rëndësishme” për luftën dhe që vjen në një periudhë kur sulmet ruse ndaj Ukrainës janë qetësuar relativisht, pas një vale rekord të sulmeve ajrore në javët e mëparshme.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte sot viziton Uashingtonin për takime me presidentin Donald Trump dhe zyrtarë të lartë të kabinetit të tij. Ende nuk dihet arsyeja e kësaj vizite, por Trump ka deklaruar se do të ishte i gatshëm të furnizonte me armë Ukrainën përmes NATO-s. Po ashtu, paralajmëroi se sot do të bëjë një “deklaratë të fortë” lidhur me Rusinë.