Fituesi i Big Brother VIP Albania, Luiz Ejlli, ka ndezur sërish kureshtjen e ndjekësve me një postim misterioz në rrjetet sociale, që ka bërë bujë brenda pak orësh. Në një imazh të stilizuar si poster filmi, këngëtari dhe moderatori shkruan:
Në Shkurt 2026! Lajmet do të bëhen film, dhe filmi do të bëhet lajm.
Ky mesazh enigmatik ka ngritur dyshimet se Luizi po paralajmëron projektin e tij më të ri kinematografik, për të cilin ai dhe bashkëshortja e tij, Kiara Tito, kanë folur prej muajsh.
Fansat janë të bindur se bëhet fjalë për filmin romantik që çifti më i komentuar i showbizit shqiptar ka premtuar se do ta realizojë së bashku.
Në një intervistë të dhënë në maj, Kiara kishte zbuluar për herë të parë planet për këtë projekt:
Jemi duke u organizuar për të bërë një film bashkë. Është hera e parë që e them publikisht. Luizi e ka përmendur ndonjëherë në Story, por tani po flasim për diçka konkrete. Është një projekt që e kemi shumë për zemër dhe mezi presim ta realizojmë
-kishte treguar ajo.
Sipas burimeve pranë çiftit, xhirimet pritet të nisin së shpejti, ndërsa projekti po përgatitet me kujdes për të sjellë një histori që përzien realitetin me artin – një temë që përkon me mesazhin e fundit të Luizit.
Edhe pse titulli dhe ekipi realizues nuk janë zbuluar ende, një gjë është e qartë: në shkurt të vitit 2026, Luizi dhe Kiara do të kthejnë dashurinë e tyre në një film që, siç thotë vetë Luizi, “do të bëhet po aq lajm sa edhe histori”.