BEST OF LIVE FROM TIRANA
E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Ina Ferra, mjeke estetiste. Ajo na ka folur më shumë lidhur me kujdesin e lëkurës gjatë periudhës së verës, produktet që rekomandohen të përdoren, por dhe disa trende bukurie të përhapura kohët e fundit…
Ka shumë vajza që përdorin make-up në plazh, sa e shëndetshme është kjo për lëkurën?
Kjo është një pjesë që ne duhet të përpiqemi t’i këshillojmë sa më shumë njerëzit. E kuptoj që duket shumë bukur. Të thuash që shtresat e make-up e mbrojnë fytyrën, është një nga mitet që ekzistojnë. Mbrojtja e lëkurës ka nevojë për rutinën që ne sugjerojmë, që është një hidratim mjaft i mirë, për të vendosur këtë shtresën mbrojtëse dhe për ta përthithur lëkura sa më shumë. Dhe SPF, sepse nuk mund të themi që një fondatinë mund të na e mbrojë lëkurën në një nivel shumë të lartë kundra diellit, por mund ta dëmtojë atë sepse mund të bllokojë poret dhe pastaj mund të nxisë djersitje më të shtuar, pastaj kalojmë në inflamacione të lëkurës. Dhe themi që ‘nuk kisha këtë lloj breakout, çfarë ndodhi’. Por nuk e dimë se çfarë kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe. Kështu që kujdes sa më i madh ndaj lëkurës. Do dukemi bukur dhe me një lëkurë të shëndetshme. Më e mira është që të shkoni në plazh pa make-up, do ia sugjeronim të gjithëve. Një lëkurë e hidratuar sa më mirë si një bebe, se sa një full glam make-up dhe pas disa kohësh do të kemi problematika të tjera.