Mazda mund të mos e prezantojë automjetin e saj të ri elektrik të dedikuar deri në vitin 2029, pas një vonese të heshtur të konfirmuar nga raportime mediatike në Japoni. Sipas Nikkei dhe Nikkan Jidosha, prodhimi është shtyrë të paktën dy vjet, ndërsa kompania po fokusohet më shumë te modelet hibride, për shkak të kërkesës më të ulët se sa pritej për automjetet elektrike.
Edhe pse Mazda nuk ka bërë një njoftim zyrtar, një zëdhënës i kompanisë pranoi se planet janë ende në rishikim, duke theksuar se koha e lançimit do të varet nga rregulloret dhe nevojat e konsumatorëve. Kjo lë të hapur mundësinë që EV-ja të mos vijë as në vitin 2027. Modeli elektrik është parë në testime në Kaliforni, i maskuar me karroceri të CX-70 ose CX-90, dhe pritet të bazohet në platformën Skyactiv EV Scalable Architecture, e prezantuar që në vitin 2021, por ende pa hyrë në prodhim.
Ndërkaq, sipas Bosch, motorët me benzinë do të vazhdojnë të dominojnë tregun e makinave në Amerikën e Veriut edhe deri në vitin 2035. Kompania parashikon se rreth 70 për qind e automjeteve do të kenë ende motorë me djegie të brendshme, kryesisht të kombinuar me sisteme hibride ose si gjeneratorë për automjete elektrike. Presidenti i Bosch në Amerikën e Veriut, Paul Thomas, tha se kompania po ndjek një qasje të balancuar mes elektrifikimit, hibrideve dhe motorëve tradicionalë.
Ndërkohë, prodhuesit e makinave po investojnë gjithnjë e më shumë në teknologjitë hibride, përfshirë modelet ku motori shërben vetëm për karikimin e baterisë. Shembuj të tillë janë Ford, Scout dhe Nissan, që kanë njoftuar modele të reja me sisteme hibride ose me gjenerator të integruar. Sipas Bosch, automjetet plotësisht elektrike do të zënë rreth 30 për qind të tregut amerikan në dekadën e ardhshme.
Viti 2026 ka nisur me një sukses të madh për Mercedes-Benz, pasi modeli i ri Mercedes CLAështë shpallur zyrtarisht Makina e Vitit 2026 në Europë. Çmimi prestigjioz u nda gjatë një ceremonie të zhvilluar në kuadër të Salon de Bruxelles. Mercedes CLA arriti të fitojë përballë gjashtë modeleve të tjera finaliste, pas vlerësimit të një jurie të përbërë nga 60 gazetarë automobilistikë nga vende të ndryshme të Europës. Juria vlerësoi dizajnin, teknologjinë, efikasitetin dhe risitë që ky model sjell në segmentin e tij.