Margot Robbie po përflitet si një nga pretendentet kryesore për të luajtur rolin e Catherine Tramell në versionin e ri të filmit legjendar “Basic Instinct”, i cili pritet të rikthehet në ekran pas më shumë se tre dekadash.
Amazon MGM Studios ka siguruar të drejtat për trillerin erotik që tronditi botën e kinemasë në vitin 1992 dhe ka angazhuar sërish skenaristin origjinal, Joe Eszterhas. Ky i fundit është rikthyer me një marrëveshje prej 4 milionë dollarësh dhe ka premtuar një histori po aq provokuese dhe të fuqishme sa origjinali.
Për rolin kryesor janë përmendur edhe aktore të njohura si Florence Pugh, Sydney Sweeney, Anya Taylor-Joy dhe Ana de Armas. Megjithatë, Margot Robbie thuhet se ka fituar një mbështetje të veçantë edhe nga Sharon Stone, aktorja që e bëri të famshëm rolin në fillim të viteve ’90.
Nëse përzgjidhet, ky pritet të jetë një nga rolet më sfidues dhe të guximshëm në karrierën e Robbie, duke i dhënë asaj mundësinë të rikthejë një figurë ikonike të kinemasë në një version të ri për një brez të ri shikuesish.