Po sikur personi i vetëm që biologjikisht është krijuar për të qenë shpirti juaj binjak të ishte personi i vetëm që ju e keni absolutisht të ndaluar ta preknit? Kjo është pyetja thelbësore në zemër të librit “Mate” të Ali Hazelwood, një libër i sapo publikuar dhe ndër listën e best sellers të New York Times.
“Mate” përqendrohet te Serena, një njeri-ujk. Historia hapet me Serenën në rrezik të menjëhershëm, duke u fshehur nga një gjuetar shpërblimesh Vampirësh në një kasolle të largët. Shpëtimi i saj vjen nga burimi më frikësues i mundshëm: Koen Alexander, Alfa i frikshëm i tufës së njerëzve ujq Veriperëndimorë.
Lidhja e tyre është e menjëhershme dhe shqetësuese. Koen deklaron se Serena është patnerja e tij biologjike – një fakt fiziologjik që ai e përshkruan si një “diagnozë terminale”. Megjithatë, ai këmbëngul ftohtësisht se kjo nuk do të thotë asgjë përtej një reaksioni kimik.
Serena, e cila e ka kaluar jetën duke u ndjerë si e përjashtuar, është njëkohësisht e tmerruar dhe e intriguar. Vetëm prania e tij e bën atë të ndiejë një ndjenjë të thellë sigurie që nuk e ka njohur kurrë.
Intriga përshpejtohet kur bëhet e qartë se Serena është një shënjestër. Për të mbrojtur të dashurit e saj, ajo propozon një plan të pamatur: të bëhet karrem i dukshëm për të larguar gjuetarët. Koen, i tërbuar nga natyra e saj vetëmohuese, refuzon dhe e sjell atë në zemër të territorit të tij për mbrojtjen e saj.
Këtu zbulohet pengesa e madhe, ligj i lashtë i tufës, i lindur nga një tragjedi e kaluar, i ndalon Alfës të krijojë lidhje intime, duke i parë ato si një shpërqendrim nga detyra e tij. Ndërsa kërcënimet nga një sekt i lig afrohen dhe sekretet rreth origjinës së vetë Serenës dalin në dritë, tërheqja midis saj dhe Koen bëhet e parezistueshme. Ata janë të bllokuar midis një impulsi biologjik që kërkon që ata të jenë bashkë dhe një ligji shoqëror që i urdhëron ata të qëndrojnë larg.
Nëse jeni fans i “The Twilight Saga”, ky libër i ngjason deri diku, si nga përmbajtja, historia e dashurisë, skenat e paimagjinueshme të aksionit dhe fantazisë… OK, do t’ju pëlqejë.
Por, nëse jeni ai grup tjetër njerëzish që këto filma ju bëjnë të mbani barkun me dorë nga të qeshurat, duke kujtuar këtu edhe meme-t virale kohët e fundit për skenat e pabesueshme dhe në dukje skenar të dobët, “Mate” ndoshta nuk është për ju.
Kjo histori duket si një kombinim i bisedave të TikTok-ut dhe mendimeve prej adoleshentësh që u bashkuan për të krijuar një ‘fëmijë’. Këtu ngrihet pyetja – a është kjo mënyra siç duhet të lexohet letërsia moderne? Kjo nuk mund të jetë thjesht mënyra se si vdes letërsia moderne në romancë. Është e qartë që me kalimin e brezave dhe epokave, vihen re ndryshimet e fjalorit dhe se ka kaq shumë ndërlikime gjuhësore, megjithatë, kjo nuk mund të jetë ajo që shumë shkrimtarë të vjetër parashikuan të gjenin në librat e romancës.
Dialogu dhe mendimet e brendshme të personazhit kryesor femëror ishin aq fëminore dhe të papjekura saqë nganjëherë harron se ajo duhej të ishte 25 vjeç. Keon nga ana tjetër tregohet i papjekur gjatë gjithë librit. Pra në një libër romantik, nuk e lexojmë asnjëherë fjalën “Të dua”. As linja e ngjarjes nuk është aq e lehtë për t’u ndjekur; kishte shumë boshllëqe në ngjarje me shumë pyetje pa përgjigje. Skenat pikante ishin relativisht të mira dhe një formë e re intimiteti që nuk gjendet në romancat e tjera me njerëz-ujq. Me të gjitha këto të thëna, është një lexim argëtues (për mirë apo për keq) dhe i shpejtë! Gjithashtu, nëse nuk ju pëlqen shumë proza dhe një stil shkrimi më i pjekur, por thjesht dëshironi atmosferë, atëherë do ta adhuroni këtë libër.