Aktualitet

Mbahet shërbesa e Flamurit në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’, Fortlumturi Joani thirrje të rinjve të mos largohen

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u mbajt shërbesa e Flamurit nën drejtimin e Kryepeshkopit Joan.

Teksa uroi 113-vjetorin e Pavarësisë, Imzot Joani tha se Perëndia na ka bekuar me një vend të bukur, por shtoi se të gjithë jemi “kujdestarë” të tij, duke kërkuar më shumë përgjegjësi.

Një mesazh përcolli edhe për të rinjtë, teksa u shpreh se nëse bëjmë më mirë, ata nuk do të kenë arsye për t’u larguar.

“Në kishë ne themi vazhdimisht, përsëri dhe përsëri në paqe le t’i lutemi Zotit.  Pse i përsërisim vazhdimisht? Sepse mund t’i harrojmë dhe Kisha në urtësinë e saj na ka mësuar që shumë gjëra duhet t’i përsërisim. Sot, ne bëjmë një Dhoksologji të Flamurit. Pse kemi vendosur shërbesa të tilla, për dy arsye. E para për të falenderuar Perëndinë. E përsërisim se kemi shumë arsye për ta falenderuar, na ka dhënë një vend të bukur që ka gjithçka dhe jemi në këtë pjesë të globit si kujdestarë të kësaj pasurie, i Zotit është dheu e gjithçka që ndodhet në të, gjë që do të thotë se pronari i të gjithë dheut është Zoti. Ne jemi kujdestarët, përgjegjësia jonë është të jemi kujdestarë të mirë, të mundohemi ta lulëzojmë dhe bekojmë këtë vend.  Nëse e bëjmë një vend të mirë, ku njerëzit mund të jetojnë në paqe dhe harmoni, padyshim që nuk do të largohen shumë njerëz. Gjithmonë ka një arsye që disa mund të largohen por një largim masiv nuk do të ndodhë nëse do të jemi kujdestarë të mirë të këtij vendi që na ka besuar Perëndia. E falenderojmë Perëndinë për gjithçka na ka dhënë, por kemi edhe përgjegjësinë për këtë gjë, e të gjithëve. Gjithësekush në vendin ku punon mundohet ta lulëzojë këtë vend. Atdhetari i vërtetë është ai njeri që lulëzon vendin e tij. Në këtë ditë do të uroja të gjithë ju, gëzuar dhe përshumëvjet këtë ditë të bekuar. Perëndia ta bekojë popullin tonë, vendin dhe të përhapë paqen jo vetëm në vendin tonë por edhe në të gjithë botën”, – tha Fortlumturi Joani.

Kisha Ortodokse bëri një urim në rrjete sociale për shqiptarët në këtë ditë të rëndësishme, ndërsa ndau edhe një mesazh nga shërbesa e Shërbesa e Flamurit, e kryer nëpër kishat orthodhokse.

“GËZUAR DITËN E FLAMURIT!

“O Zot, që bekon dhe shenjtëron, ti bekoje flamurin tonë, dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rrezik dhe shtrëngesë dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit nën hijen tënde dhe vlerësona ne të pavyerit të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar, me nder, shëndet edhe ditë të gjata këtu dhe kudo.  Se ti je Perëndi mëshirues dhe njeridashës, dhe ty ta dërgojmë lavdinë, Atit edhe Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë dhe në jetët e jetëve”.