Në Vlorë u zhvillua ceremonia shtetërore e Ditës së Pavarësisë, një nga momentet më të rëndësishme të kremtimeve të 28 Nëntorit. Monumenti i Pavarësisë, epiqendër e festimeve të këtij 113-vjetori. Pranë sheshit historik, personalitetet shtetërore vendosën kurora me lule në nder të themeluesve të shtetit shqiptar. Aktiviteti u shoqërua me ekzekutimin solemn të Himnit Kombëtar.
Të pranishëm, figurat më të larta të institucioneve shqiptare dhe të Kosovës, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj; Kryeministri Edi Rama; Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi; Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu; Kryebashkiakja e Vlorës; Brunilda Mersini.
Në vijim të programit zyrtar të Ditës së Flamurit, pati homazhe edhe te varri i Ismail Bej Vlorës, udhëheqësit të aktit historik të 28 nëntorit 1912. Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore nderojnë figurën dhe rolin e tij në krijimin e shtetit shqiptar.
Ceremonitë në Vlorë për Ditën e Pavarësisë do të vijojnë gjatë gjithë ditës me aktivitete kulturore, pritje zyrtare dhe homazhe për figurat që kontribuuan në pavarësinë e vendit.
Nuk munguan as urimet. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani:
Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së, janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare.
Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër. Gëzuar Ditën e Flamurit! Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë!
Lavdi Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti:
Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar, ashtu siç gërshetohet 28 Nëntori me fatin e kombit tonë.
Kryeministri në detyrë ndalet edhe te ngjarjet e rëndësishme të historisë, të cilat lidhen gjithashtu me 28 Nëntorin: lindja e Adem Jasharit, më 28 nëntor 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz, njeriut që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës; si dhe dalja publike e UÇK-së, më 28 nëntor 1997, si dëshmi se “ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim për liri”.
Kurti thekson se të gjitha këto përpjekje janë kurorëzuar sot me dy shtete shqiptare të lira dhe të pavarura: Shqipërinë dhe Kosovën. Në mesazh, flet edhe për një “Nëntor të Tretë”, të cilin e cilëson si aspiratë të së ardhmes.
Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë do të përmbushet.