Në Brazil, rrëshqitjet e dherave e përmbytjet iu kanë marrë jetën mbi 90 personave në qytetin Petropolis, destinacion i njohur për turistët, që gjendet pranë maleve të Rio de Zhaneiros. Shirat e rrëmbyeshëm nga moti i keq shkatërruan shtëpi e shumë makina u përpinë nga ujërat.
Referuar të dhënave më të fundit të Mbrojtjes Civile Kombëtare në Brazil, janë 24 të mbijetuar deri tani e 94 vetë u nxorrën të pajetë nga rrënojat.
Duke folur për gazetarët në një dalje për mediat, guvernatori i Rio de Zhaneiros, Claudio Castro bëri një përshkrim të shkurtër të gjendjes, që paraqitet shumë serioze në terren.
Situata është gati si në luftë. Makina të varura e të përmbysura, shumë baltë dhe ujë. Ekipet e kërkim-shpëtimit po heqin baltën, me shpresën për të gjetur të mbijetuar.



Nga Rusia ku ndodhet për vizitë zyrtare, presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, foli për organizim të ndihmave. Në tre muajt e fundit, për Brazilin është hera e tretë që goditet nga shira të rrëmbyeshëm. Shkencëtarët nuk kanë dyshimet se kjo situatë po përkeqësohet nga ndryshimet klimatike, që janë kthyer në shqetësim në nivel global. Në vitin që lamë pas, katastrofat natyrore dhe fenomenet e lidhura me motin ekstrem, shkaktuan 250 miliard dollarë humbje, një nga vlerat më të larta të 50 viteve të fundit.
Po nga pasojat e motit të keq, mijëra shtëpi mbetën pa energji elektrike pasi stuhia “Dudley” shkatërroi disa pjesë të Britanisë së Madhe. Capel Curig në Uells përjetoi erëra me shpejtësi deri në 130 kilometra në orë, po kështu Yorkshire dhe Drumalbin.
Ekipet tona kanë rivendosur energjinë elektrike në rreth 19 mijë shtëpi dhe biznese të prekura nga stuhia “Dudley”.
Kompania hekurudhore “National Rail” theksoi se “dhjetëra kompani hekurudhore u goditën në veri të Anglisë, Midlands, Uells dhe pjesën më të madhe të Skocisë”. Dëmet nuk kursyen as East Midlands e Thameslink.
Edhe operatori hekurudhor gjerman “Deutsche Bahn” ka ndërprerë shërbimet hekurudhore në distanca të gjata në disa lande për shkak të kushteve të pafavorshme të motit në veri të vendit. Stuhia “Ylenia” goditi Gjermaninë dje pasdite. Shërbimi Meteorologjik Gjerman dha paralajmërime të forta për motin deri sot në mbrëmje.