Leku u mbiçmua kundrejt valutave kryesore, por masa dhe shpejtësia e mbiçmimit ishte më e ulët, në gjysmën e dytë të vitit të kaluar e po ashtu në vijim.
Në raportin e publikuar së fundi mbi Stabilitetin Financiar, Banka e Shqipërisë bën të ditur se mbiçmimi i lekut ishte me i dukshëm në muajt që pasuan sezonin veror, në vijim të flukseve të rritura valutore prej turizmit.
Ndërkaq, në muajin nëntor 2024, kursi mesatar i këmbimit të euros shënoi nivelin më të ulët historik prej 98,2 lekësh.
Në fund të periudhës, leku ishte mbiçmuar me rreth 4% ndaj euros në terma vjetorë, kundrejt 6% dhe 11%, përkatësisht gjashtë muaj dhe një vit më parë.
Ecuri të ngjashme me euron ka regjistruar edhe dollari amerikan.
Në muajin shtator 2024, një dollar këmbehej mesatarisht me 89,4 lekë e ky ishte niveli mesatar më i ulët në 15 vjetet e fundit. Drejt fundit të vitit, në vijim të zhvillimeve politike në Shtetet e Bashkuara, dollari amerikan u forcua gradualisht, derisa në muajin dhjetor u kuotua me mesatarisht 93,9 lekë.
Banka e Shqipërisë ka vijuar të kryejë ndërhyrje në tregun valutor përmes ankandeve për blerjen e valutës, me objektiv rritjen e rezervës valutore, si dhe për të zbutur ritmin e mbiçmimit të monedhës vendase, teksa edhe gjatë këtij viti kursi i këmbimit vijon të reflektojë një qëndrueshmëri me luahtje të lehta të lekut ndaj valutave.
Një ditë më parë, dollari amerikan u këmbye me 86,96 lekë dhe euro me 98,75 lekë.