Me sytë te Botërori, 26 marsi i madh i futbollit për Shqipërinë e Kosovën/Live në Digitalb!

Sonte 26 marsi i madh i futbollit për Shqipërinë e Kosovën. Me sy e zemër jemi në Varshavë, ku Kombëtarja luan ndeshjen e parë të play-off/it të Botërorit 2026 kundër Polonisë. Sfida starton në orën 20:45 dhe luhet në stadiumin “PGE Norodowy”, duke u transmetuar direkt në Digialb e do të komentohet në Top Albania Radio në emisionin “Pasó”. Po kështu edhe ajo që në të njëjtën orë, Kosova luan në transfertë me Sllovakinë.

Sonte kuqezinjtë i pret një mision shumë i vështirë ndaj Levandovskit me shokë, por jo i pamundur. Futbolli i njeh befasitë dhe surprizat, prandaj dhe kuqezinjtë do të luajnë gjithçka për gjithçka. Polakët nisen favoritë, megjithatë kanë edhe presionin më të madh mbrëmjen e sotme.

Të besuarit e Silvinjos synojnë rezultatin historik në Varshavë, ku i pret një sfidë mjaft e vështirë. Historike edhe përballja e Bratisllavës për të besuarit e Fodës.

FSHF-ja ka njoftuar se janë shitur të gjitha biletat e vëna në dispozicion nga pala polake dhe se kërkesat kanë qenë shumë të larta. Po kështu, interesi i tifozëve të Kosovës ka qenë i jashtëzakonshëm për sfidën ndaj Sllovakisë.  Mbrëmja historike e kombëtareve shqiptare do të përcillet drejtpërdrejt në Digitalb.

Në rast fitoreje, Shqipëria shkon në finalen e Play-off/it, ku do të ndeshet me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi. Nëse kalon Suedia, ndeshja që vlen biletën e Botërorit 2026 do të luhet në fushën e saj, nëse kalon Ukraina, kuqezinjtë, gjithmonë nëse mundin Poloninë do të kenë favorin e fushës asnjëanëse.

Me trajnerin Silvinjo, Kombëtarja shkoi në Europian, tani është afër Botërorit, afër historisë. Me siguri do të jenë 90 minuta të zjarrta, ku fati dhe episodet kanë pjesën e tyre.

Verdiktin e jep fusha e blertë, ku drejtësinë do ta vendosë gjyqtari anglez Antony Taylor. Nëse ndodh mrekullia, Shqipëria do t’i bashkohej Grupit F, ku bëjnë pjesë Holanda, Tunizia e Japonia.