Modelja e njohur gjermane Heidi Klum ka bërë një rrëfim të sinqertë për mënyrën se si bashkëshorti i saj, Tom Kaulitz, e ndihmoi të ndryshonte raportin me trupin e saj, pas viteve të tëra presioni dhe kritikash në industrinë e modës.
Ylli 53-vjeçar, e martuar me muzikantin e grupit Tokio Hotel që prej vitit 2019, tregoi në një intervistë për Us Weekly se ishte pikërisht Tom ai që e bindi se nuk kishte nevojë të ishte tepër e dobët për t’u dukur bukur.
Me kalimin e viteve, besoj se dukemi më mirë kur nuk jemi tepër të dobëta. Bashkëshorti im ishte i pari që ma tha këtë. Ai më tha: ‘Duhet të hash më shumë. Do të dukeshe më mirë nëse do të kishe pak më shumë mish në kocka’
-rrëfeu Klum.
Sipas saj, një këshillë e tillë është thuajse e paimagjinueshme në botën e modës, ku modelet përballen vazhdimisht me pritshmëri të larta për të qenë sa më të holla.
Kjo nuk është diçka që të thonë ndonjëherë në këtë industri, sepse gjithmonë pritet të jesh më e dobët se sa je në të vërtetë
-u shpreh ajo.
Heidi tha se sot, kur sheh fotografitë e viteve të kaluara, e kupton se bashkëshorti kishte të drejtë.
Kur i shikoj fotot e mia të mëparshme, mendoj: ‘Ai kishte të drejtë’. Përmasat e trupit tim duken më bukur kur jam pak më e mbushur.
Modelja theksoi gjithashtu se nuk ka asnjë dëshirë të përdorë medikamente për humbje peshe, si Ozempic.
Nuk më interesojnë aspak
-deklaroi ajo.
Ajo pranoi se trupi i saj ka ndryshuar natyrshëm me kalimin e viteve dhe se nuk e sheh më këtë si problem.
Kam shtuar në peshë gjatë viteve. Nuk vesh më xhinse me masën 24
-tha Klum.
Në intervistë, Heidi kujtoi edhe fillimet e vështira të karrierës së saj, duke zbuluar se ishte përballur shpesh me komente fyese për pamjen fizike, edhe pasi kishte arritur sukses të madh në industrinë e modës.
Kisha sesione fotografike ku fotografët më bënin të qaja. Më thoshin se nuk po bëja një punë të mirë dhe se isha shumë e shëndoshë
-kujtoi ajo.
Modelja foli edhe për ish-bashkëshortin e saj, këngëtarin Seal, me të cilin ishte e martuar nga viti 2005 deri në vitin 2014. Ajo tregoi se nuk e kuptonte pse njerëzit e kritikonin për shenjat e lëkurës, të shkaktuara nga lupusi.
Gjatë kohës kur isha e martuar me Seal, njerëzit thoshin: ‘Si mund të ketë ai një lëkurë kaq të keqe?’. Ai vuan nga lupusi dhe, sinqerisht, unë mendoj se duket shumë bukur
-tha Klum.
Në fund, ajo dha një mesazh për pranimin e vetes dhe vetëbesimin.
Nuk mund t’u pëlqesh të gjithëve dhe jo të gjithë do ta pëlqejnë atë që bën. E rëndësishme është të shikosh veten në pasqyrë dhe të jesh i lumtur me atë që je. Unë gjeta vendin tim dhe ja ku jam ende sot
-përfundoi modelja.