Politikë

“Më thonë shiko se në protestë kanë dalë edhe tanët”/ Rama nga Shkodra: Po të kishin gojë flamingot…

Nga Shkodra, Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish protestën që po mbahet prej 9 ditësh kundër investimit në Zvërnec.

“Se realisht po të përpiqesh t’i dëgjosh, çfarë nuk dëgjon. Ishte dje një patriot që thoshte Rama i ka ulur qëllimisht biletat e avionëve për t’i bërë të marrin sa më shumë avionët dhe të ikin. Çfarë do ky, që ne të rrisim çmimin e avionëve? Ne jemi në një hapësirë ku thuhet gjithçka dhe nuk dëgjohet asgjë. Shpërthyen papritur ethet ambientaliste të të gjithë shqiptarëve, në thonjëza të të gjithë shqiptarëve. Ata nuk duan me ditë se njerëzit që janë në kafe mund të kenë qenë gjithë ditën në punë, ata s’duan t’ia dinë. U thonë çohuni nga kafja dhe hajdeni me ne për Shqipërinë e re. Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve’, ka qenë parrulla që frymëzonte dhunën dhe atë hata që i ndodhi një vendi të madh si Gjermania. Çfarë do na ndodhte ne sikur italianët të thoshin ikni të gjithë, kthehuni andej, apo grekët. Ky lloj qameti i ka ndodhur botës, nuk është diçka e re. Kulmi vjen kur na quajnë ne shkatërrimtarë.

Më thonë shiko se atje kanë dalë edhe njerëz që janë tanët, vajza dhe djem që janë të familjeve që votojnë për PS. Mbrojnë Shqipërinë nga unë dhe ju? Mbrojnë natyrën nga unë dhe PS? Po ne kemi me vete një histori 10-vjeçare e pak më shumë të luftës për të mbrojtur natyrën nga ata që ishin rreziku më i madh i saj. Ne nuk jemi shkatërrimtarët, por shpëtimtarët.

Po të kishin gojë të flisnin flamingot që këta po i dalin për zot, do tregonin historinë e tyre të hidhur. Ata janë shtegtarë. Do tregonin historinë se si ata nuk vinin në Shqipëri sepse i pengonte pushka e atyre që bënin stërvitje dhe vrisnin zogj”, u shpreh Rama.

“Kur po ngjisnim ato rrugicat e kalasë për të ardhur deri këtu dhe më thoshin që ka shumë njerëz, thashë: apo thonë çfarë dëshirojnë apo çfarë është në realitet, sepse shumë njerëz kanë rezistuar deri në fund të asaj ngjitjeje, i bie jo vetëm që jemi të fortë, por më të fortë se asnjë tjetër.

Do na hidhen në fyt menjëherë flamingot dhe do thonë patronazhistë, administrata janë mbledhur atje me zor të madh, por unë ju falenderoj shumë dhe ju çmoj shumë, për mundimin për t’u ngjitur deri këtu së bashku, një ngjitje që ka qenë jo e lehtë dhe duke marrë parasysh nga nisën ata që kanë themeluar PS, dhe ata që morën guximin në Shkodër ta çelin degën e PS, nuk kemi arsye të qahemi nga vështirësitë, por i kemi të gjitha arsye për t’u ngjitur dhe për ta ngjitur Shqipërinë në majën ku na kanë lënë rilindasit dhe ku ia kemi borxh fëmijëve tanë, në BE, shtoi Rama.