Bota

Meksika në kaos, 26 viktima pas vrasjes së baronit të drogës “El Mencho”!

Dhuna në Meksikë që shpërtheu pas vrasjes së bosit të drogës “El Mencho”, vazhdon pa pandërprerje. Autoritetet raportuan të paktën 26 vdekje të konfirmuara. Viktimat përfshijnë një grua tre muajshe shtatzënë e 17 oficerë të zbatimit të ligjit: pesëmbëdhjetë anëtarë të Gardës Kombëtare, një agjent të zyrës së prokurorit dhe një roje burgu.

Mes të vrarëve janë edhe 8 pjesëtarë kartelesh kriminale. Forcat e rendit arrestuan 27 persona: 11 për incidente dhune dhe 14 për plaçkitje biznesesh e institucionesh bankare.

Përleshjet janë përqendruar në pjesët perëndimore të vendit. Automjete të djegura kanë bllokuar rrugët në Jalisco dhe shtete të tjera, me qeverinë meksikane që raporton bllokime të shumta autostradash nga trafikantët e drogës. Kjo në një përpjekje për të penguar operacionet ushtarake.

Ndërkohë, re tymi po ngrihen nga Puerto Vallarta, si dhe skena kaosi raportohen në aeroportin ndërkombëtar të Guadalajarës, ku disa linja ajrore kanë pezulluar fluturimet.

Qeveria paralajmëron: Shkollat ​​mbyllen, qëndroni në shtëpi!

Pas vdekjes së Nemesio Rubén Oseguera Cervantes, udhëheqësit të kartelit të drogës Jalisco Nueva Generación, shpërtheu dhuna midis trafikantëve të drogës dhe forcave të zbatimit të ligjit. Shkollat ​​u mbyllën në disa shtete meksikane dhe qeveritë lokale e të huaja paralajmëruan qytetarët të qëndrojnë në shtëpi.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë, që konfirmoi mbështetjen e inteligjencës amerikane në operacionin për të kapur atë që konsiderohej një nga “baronët e drogës”, duartrokiti ushtrinë meksikane për eliminimin e njërit prej kriminelëve më të kërkuar në të dy vendet.

Departamenti i Shtetit i SHBA-ve kishte ofruar një shpërblim deri në 15 milion dollarë për informacione që çonin në arrestimin e “El Menchos”.