Mendja është një nga mjetet më të fuqishme që kemi, por edhe burim i shumë shqetësimeve. Shpesh, stresi dhe ankthi nuk vijnë nga ngjarjet që përjetojmë, por nga mënyra se si i interpretojmë ato. Psikologët theksojnë se përpjekja për të kontrolluar gjëra jashtë ndikimit tonë rrit tensionin emocional. Në të kundërt, fokusimi te veprimet, zgjedhjet dhe qëndrimet tona ndihmon në uljen e stresit dhe përmirësimin e mirëqenies. Qetësia fillon kur pranojmë atë që nuk mund ta ndryshojmë dhe përqendrohemi te ajo që është në kontrollin tonë. Pikërisht aty gjendet forca për t’u zhvilluar dhe për të ecur përpara.
Ke kaluar një ditë të keqe? U zgjove me një peshë mbi supe dhe nuk e di pse? Mendimet të thonë se gjithçka për të cilën ke punuar nuk ka asnjë vlerë? E pe veten në pasqyrë dhe të dukej sikur shihje një të huaj? Po të themi diçka: të ndihesh kështu është shumë normale. Madje, do të ishte çudi nëse nuk do të kishe ditë të këqija.
Pse? Sepse jemi njerëz. Trupi dhe mendja jonë janë krijuar për të përjetuar emocione të ndryshme. Nëse nuk do të kishim ulje-ngritje, do të ishim si ndonjë robot me programe të paracaktuara. Do të doje të ishe robot? Nuk besoj. Ndaj, që jemi këtu bashkë, duke kaluar një ditë të mërzitshme, le të kujtojmë disa gjëra që mund të na ndihmojnë ta përballojmë më lehtë. Edhe pse sot të duket sikur ke rënë në një gropë nga e cila nuk do të dalësh dot, mos i beso mendjes kur të thotë se kështu do të jetë gjithmonë. Do të dalësh prej saj. Do të vijë një moment kur do të ndihesh më i lehtë. Dielli do të shkëlqejë sërish. Ta garantojmë.
Mendo pak: A nuk ke pasur edhe më parë ditë kur je ndjerë mirë? Kur je parë në pasqyrë dhe ke menduar: “Po më pëlqen si dukem sot!”? Kur një i panjohur të ka buzëqeshur, kur qeni i komshiut ka tundur bishtin kur e ke përkëdhelur, kur një recetë e re të ka dalë perfekt dhe ke ndjerë një kënaqësi të vogël por të rëndësishme? E shikon? Këto ndjesi ekzistojnë dhe do të kthehen.