Jessie J ka përjetuar momente paniku pasi u dërgua me urgjencë në spital gjatë qëndrimit të saj në Kinë, ku po zhvillon turneun “No Secrets”.
Këngëtarja 37-vjeçare tregoi se gjithçka ndodhi pasi goditi fort kokën brenda në makinë, duke shkaktuar menjëherë frikë për një dëmtim serioz në shtyllën kurrizore.
Mendova se kisha thyer qafën
-u shpreh ajo, duke përshkruar momentet e tensionuara.
Për shkak të dhimbjeve të forta dhe rrezikut të mundshëm, artistja iu nënshtrua menjëherë një ekzaminimi të detajuar me rezonancë magnetike (MRI), për të përjashtuar dëmtime të brendshme që mund të rrezikonin shëndetin e saj apo vazhdimin e turneut.
Pavarësisht situatës stresuese, Jessie J u shfaq pozitive dhe komunikoi hapur me fansat përmes rrjeteve sociale, duke treguar se do të përdorë qetësues dhimbjesh për të përballuar gjendjen.
Artistja theksoi se dëshiron të rikthehet sa më shpejt në skenë, duke lënë të kuptohet se, edhe pas një incidenti të frikshëm, nuk ka ndërmend të ndalet.