Jessie J ka sqaruar publikisht se kënga e saj e re “Threw It Away” nuk lidhet aspak me marrëdhënien e saj të kaluar me aktorin Channing Tatum, me të cilin ishte në lidhje nga viti 2018 deri në 2020.
Fansat nisën spekulimet pasi teksti i këngës përfshin fjalën “bishë”, duke ngritur dyshime se bëhej fjalë për ish-partnerin e saj.
Përmes një postimi në Instagram, këngëtarja 37-vjeçare theksoi se Tatum nuk është personi të cilit i referohet kënga.
Ajo ndjeu nevojën të fliste për të shmangur keqkuptimet dhe për të mbrojtur aktorin nga interpretimet e padrejta.
“Threw It Away’ nuk është për Channing Tatum
-shkroi ajo, duke shtuar se do të korrigjonte çdo keqinformim sepse “po të ishte e kundërta, edhe ai do të bënte të njëjtën gjë”.
Jessie J, e cila publikoi albumin e ri “Don’t Tease Me with a Good Time” më 28 nëntor, shpjegoi se nuk do të donte që vajza 12-vjeçare e Tatum, Everly, të përballej me lajme ose komente që e portretizojnë të atin në mënyrë negative për shkak të këngës.
Ai është një baba i mrekullueshëm dhe unë nuk dua që vajza e tij të lexojë diçka që nuk është e vërtetë. Nuk do të ishte e drejtë
-tha ajo.
Këngëtarja shtoi se marrëdhënia e saj me Tatum përfundoi me respekt të ndërsjellë dhe se ai “nuk ka qenë kurrë një përbindësh” për të, duke kritikuar titujt e mediave që, sipas saj, e paraqitën aktorin në mënyrë të padrejtë.