Politika po jep mesazhet për Ditën e Rinisë. Sipas kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, “8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë, simbolizon pasionin e vajzave e djemve shqiptarë, si një faktor thelbësor ndryshimi, për ta kthyer Shqipërinë në familjen e saj natyrale”.
Ajo thirrje e brendshme që buçiste së jashtmi, “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa!” ishte më e fortë se çdo parrullë, kongres, antimiting, ishte, mbi të gjitha, esenca e vet historisë shqiptare në kontradiktën e të qenurit një nga bërthamat e vjetra të kontinentit, dhe njëkohësisht e ndarë përdhunshëm nga kjo përkatësi prej pushtimit osman dhe komunizmit totalitar.
Sot ecim më shpejt dhe jemi më pranë se kurrë Shqipërisë së ëndërrimtarëve dhe luftëtarëve të dhjetorit, në një proces intensiv negociatash, me objektivin e qartë Shqipëria në BE brenda vitit 2030.
Ecim drejt kësaj ëndrre, tashmë një realitet i prekshëm, duke lënë pas fantazmat e komunizmit dhe shëmbëlltyrat e këqija të tyre, idhujt e rremë të tranzicionit, bartësit e gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes, minuesit e bashkëjetesës, të bashkuar në aspiratën tonë madhore!
Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një postim në Facebook, thekson se “kjo ditë shërben si një kujtesë për sakrificën ndaj diktaturës dhe si një thirrje për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë”.
Eshtë një moment reflektimi mbi idealet e tradhtuara të atij Dhjetori nga ata që e mbajtën peng Shqipërinë duke përvetësuar dhe vonuar ëndrrën e Shqipërisë si Evropa.
Të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim dhanë mesazhe me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë.
Sot, më 8 Dhjetor, ne, të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim, ftojmë të gjithë të rinjtë të marrim në dorë fatet tona dhe të së ardhmes së vendit për një Shqipëri si gjithë Evropa!
8 Dhjetori është një ditë simbol e guximit rinor, e ndryshimit dhe e forcës që kanë të rinjtë për të ndikuar. Por sot, Shqipëria është larg ëndrrave të brezit tonë sepse Rinia është detyruar të jetë larg saj.
Rinisë i është vrarë shpresa, mundësitë dhe shanset e barabarta. Të braktisur, të pa mbështetur, me një sistem arsimor të degraduar, të papunë apo të keqpaguar, detyrohen te largohen nga vendi për një jetë më të mirë.
Eshtë koha që t’i themi ndal axhendës antikombëtare të shpopullimit dhe të luftojmë që shqiponjat të kthehen në folenë e tyre dhe të fluturojnë lart, ku e meritojnë ëndrrat e tyre.
Arsimi ynë nuk na përgatit për tregun e punës. Ne kërkojmë arsim cilësor, pune të mirë paguar dhe politika që mbështesin rininë si forca e së ardhmes.
Nuk mund të heshtim më! Të ngrihemi për të rrëzuar ata që vranë ëndrrat tona. Zëri ynë meriton të dëgjohet dhe të respektohet!
Kërkojmë mundësi për të jetuar dhe punuar me dinjitet në Shqipërinë tonë. Kjo është e drejta jonë! Partia e Lirisë është Partia e Rinisë.